Arbëri

Kosova i kërkon Serbisë t’i japë fund praktikës ë përdorimit të drejtësisë për presion politik

Një ditë pasi autoritetet serbe e liruan ish-policin Arbnor Spahiu nga masa e paraburgimit, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Ajo ka shprehur qëndrimin se akuzat e ngritura ndaj Spahiut ishin të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa “paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka kërkuar të shtunën që të marrë fund praktika e Serbisë që përdor sistemin e drejtësisë për presion politik. Qëndrimi është dhënë pas lirimit të ish-policit Arbnor Spahiu, i cili u mbajt për pesë muaj në paraburgim në Serbi.

Spahiu u lirua të premten nga paraburgimi, ku mbahej nën akuza për “vrasje të rëndë”, lidhur me “ngjarjet në Banjskë” të vitit 2023.

Në Banjskë, pasi policia u sulmua nga grupi paraushtarak prej dhjetëra serbësh, është kundërpërgjigjur duke vrarë tre pjesëtarë të këtij grupi dhe duke plagosur tre të tjerë. Ndërkaq, pjesa më e madhe e sulmuesve janë zhvendosur në Serbi, ku vazhdojnë të strehohen, ndonëse për më shumë se 40 prej tyre është ngritur aktakuzë në Kosovë. Serbia nuk ka gjykuar as Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

E, nën akuzën për vrasjet e anëtarëve të grupit terrorist, ish-polici Spahiu qe arrestuar në pikën kufitare mes Serbisë e Hungarisë në qershor të këtij viti.

MPJD-ja ka theksuar se akuzat e ngritura ndaj Spahiut ishin të motivuara politikisht dhe të pabazuara në prova, ndërsa “paraburgimi i tij i zgjatur ka shkelur të drejtën për proces të rregullt dhe trajtim të drejtë”.

Në reagimin e MPJD-së është vlerësuar se lirimi i tij konfirmon qartazi se pretendimet e Serbisë nuk qëndronin dhe përdorimi i sistemit të drejtësisë për presion politik ndaj qytetarëve kosovarë është një praktikë që duhet të marrë fund.

“Ministria falënderon institucionet vendore dhe ndërkombëtare që kanë kontribuar në trajtimin e drejtë të rastit dhe rithekson përkushtimin e saj për mbrojtjen e çdo qytetari të Kosovës, kudo që ndodhet”, thuhet në njoftim.

Ish-polici Spahiu është liruar nga burgu në Serbi të premten, kanë konfirmuar familjarët e tij.

Ai shkroi të shtunën në Facebook se ka qenë i arrestuar padrejtësisht që nga 7 qershori i këtij viti për akuza të rënda, për të cilat ka thënë se kanë qenë pjesë e një procesi plotësisht politik dhe të padrejtë.

“Dua t’ju njoftoj se jam mirë, më i fortë se kurrë dhe mirënjohës për çdo mbështetje gjatë kësaj periudhe të vështirë”, ka shkruar ai dhe ka falënderuar të gjithë që e kanë mbështetur.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pati kërkuar lirimin e Spahiut, edhe gjatë kalimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.