Përcaktimi i autoriteteve të Kosovës për të mos u tërhequr nga Rregullorja e BQK-së, e cila e ndalon përdorimin e dinarit, ka ngritur shqetësime për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se kjo nuk do ta tensionojë situatën, porse të kundërtën e ka deklaruar në Beograd presidenti serb Aleksandar Vuçiq
Përfaqësues shtetërorë në Kosovë dhe në Serbi kanë shprehur vlerësime të ndryshme për impaktin në çështjen e sigurisë që do ta ketë ndalimi i qarkullimit të dinarit në Kosovë.
Një ditë pas paralajmërimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se vendimi i Bankës Qendrore (BQK), që e lejon vetëm qarkullimin e valutës euro për pagesa, mund të shkaktojë tensione në veriun e banuar kryesisht me serbë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë garanci se situata nuk do të dalë jashtë kontrolli si pasojë e ndalimit të dinarit serb.
“Ne jemi institucione që të sigurojmë që kjo nuk do të ndodhë dhe siguria do t’u ofrohet të gjithëve. E po ashtu që do të përballen me sundim të ligjit të gjithë ata që mundohen të keqpërdorin vendimet e ligjshme të Kosovës për të shkaktuar trazira që janë të paligjshme në Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Edhe njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se vendimi nuk mund të prodhojë rrezik për trazira pasi që qytetarët serbë kanë nisur që ta pranojnë autoritetin e shtetit të Kosovës.
“Frustrim do të ketë me siguri, por jo tension siç ka pasur më herët. Sepse, nga bindja që e kam, komuniteti serb e ka kuptuar që në njëfarë mënyre autoriteti qendror është ai final, pra, ai i Kosovës dhe në njëfarë mënyre e kanë akceptuar”, ka thënë Arifi.
Por vendimin për ndalimin e dinarit presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka quajtur iniciativë për spastrim etnik të serbëve nga Kosova. Ai ka thënë se ky është sulm ndaj të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara që nga vitit 1999. Në një konferencë të premten, Vuçiq ka theksuar se do të gjejë forma për të sjellë para për serbët në Kosovë teksa lidhur me çështjen ka paralajmëruar se Serbia do të paraqesë kërkesë për mbajtjen e një seance urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Fatkeqësisht Albin Kurti e ka marrë atë vendim me iniciativën e tij, me qëllimin e mëposhtëm: spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës. Ne do të gjejmë një zgjidhje. Nëse është e nevojshme, do të gjejmë banka private që do të marrin licenca gjithsesi, do të gjejmë zgjidhje për t'ua ndarë paratë njerëzve tanë”, ka thënë Vuçiq.
Për shkak të ndalimit të qarkullimit të dinarit është rritur presioni i faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës. Shtetet perëndimore e kanë shprehur kritikë që vendimi është marrë pa konsultime paraprake dhe pa dhënë kohë për përgatitje.
Departamenti Amerikan i Shtetit, në një reagim të enjten, ka vlerësuar se vendimi i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për t’u angazhuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Por këtë, kreyparlamentari Konjufca nuk e ka parë si paralajmërim për ndalje të ndihmës amerikane për Kosovën apo si vënie të masave ndaj saj.
“Nuk besoj që do ketë sanksione ndërkombëtare për Kosovën për këtë çështje. Vërejtjet që janë nuk kanë lidhje me ligjshmërinë e saj, është mungesa e një afati të nevojshëm kohor për konsultime paraprake mes bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës”, është shprehur ai.
Kritika qeverisë për mungesën e koordinimit me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë kanë shprehur edhe eksponentë të opozitës dhe njohës të çështjeve politike.
“Nuk besoj që as SHBA-ja, as aleatët e tjerë nuk po kërkojnë të ndërmarrim veprime kundër rendit kushtetues. Ajo që kërkohet është të jetë koordinimi më i mirë me SHBA-në, gjë që, që nga fillimi i kësaj qeverie nuk e kemi parë”, ka thënë Abelard Tahiri, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike (PDK).
Ndonëse e ka kritikuar Qeverinë për mungesën e koordinimit rreth çështjes, analisti Arifi ka thënë që nuk beson se mund të ketë masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Masa të reja nuk do të vijnë, nuk besoj. Por problemi është që nuk është mirë që ka ardhur deri te kjo pikë. Një komunikim i duhur e nuk do të kishim ardhur deri të ky, po themi në thonjëza, kërcënim. Qeveria duhet të marrë më seriozisht çështjen me Departamentin e Shtetit që paraprakisht të dakoordohet”, ka deklaruar ai.
Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa është euroja, por ka lënë kohë tranzicioni për serbët që përdorin dinarin.