Arbëri

Kontratat dyvjeçare në Shtime përplasin pushtetin dhe ish-pushtetin

Ekzekutivi i ri i Komunës së Shtimes ka njoftuar se të gjitha kontratat me operatorët ekonomikë që janë në kundërshtim me ligjet në fuqi do të shkëputen.

Deklarata e fundit e ish-kryetarit Naim Ismajli gjatë pranim-dorëzimit të detyrës, se shumë projekte janë kontraktuar për dy vjetët e ardhshëm ka nxitur reagimet edhe të shoqërisë civile e kryetarit Qemajl Aliu.

“Projektet, buxhetet të gjitha që tashmë janë në fund të vitit ndoshta e kërkojnë atë dinamikën e azhuritetit, nuk janë ndalë sepse kontratat janë të nënshkruara, realisht nuk e keni asnjë obligim të pa kontraktuar”, ishte shprehur Ismajli.

“Ne mendojmë se vërtetë do të ketë probleme kryetari për shkak të kontratave që janë lidhur nga kryetari i kalur e të cilat kontrata janë më shumë se një vjet e dy dhe sigurisht se këto do të shkaktojnë telashe në buxhetin e komunës së Shtimes”, ka thënë Ferdian Shala, menaxher i projekteve në YAHR.

Shkaku i tyre, sipas Shalës, kryetari i ri nuk do të mund t’i përmbushë premtimet elektorale.

Kryetari i ri i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka njoftuar se të gjitha kontratat e lidhura në fund të mandatit të Ismajlit do të shqyrtohen.

“Ajo që mund të themi tani është se do të kemi sfida me buxhetin për vitin e ardhshëm sepse e dini që një buxhet është votuar paraprakisht nga qeverisja paraprake dhe kjo nuk mund të jetë në harmoni dhe me vizionin tonë qeverisës, por është një mundësi ligjore se në gjashtëmujorin e parë do ta bëjmë një rialokim të një pjese të këtij buxheti”, ka thënë Aliu.

E sipas kryetarit Aliu, që nga viti 2023 do të nisë së zbatuari vizioni dhe plan-programi i tyre qeverisës për projektet kapitale, siç janë premtuar gjatë fushatës zgjedhore.