Arbëri

Kontestohet ligjshmëria e konkurseve për mbi 70 pozita në Inspektoratin e Punës

Caktimi i Rizah Plakollit ushtrues detyre të kryeinspektorit të punës, për të cilin Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyes Civilë e kishte shpallur të kundërligjshëm, rrezikon që të kthejë në pikën zero edhe konkurse të tjera të shpallura nga Inspektorati i Punës. Për disa prej tyre, tashmë Këshilli ka pranuar ankesa nga kandidatët

Rreth 23 konkurse me mbi 70 pozita pune të shpallura nga Inspektorati Qendror i Punës nuk janë përmbyllur ende që nga marsi i këtij viti.

Ato rrezikojnë të kthehen në pikën zero shkaku i kontestimit të ligjshmërisë së tyre.

Sipas ankesave të parashtruara në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë (KPMSHCK), disa prej të cilave i posedon edhe KOHA, kontestuese është hartimi i planit të personelit të Inspektoratit dhe miratimi i tij, nga persona për të cilët Këshilli kishte konstatuar se janë emëruar kundërligjshëm.

“Plani i personelit ku është paraparë kjo pozitë sipas ligjit, është miratuar nga u.d. Drejtori Ekzekutiv, Rizah Plakolli, i cili në bazë të informacionit publik si vendimet e publikuara të KPMSHCK-së, gjegjësisht vendimet e publikuara të KPMSHCK-së, gjegjësisht vendimit A.Nr. 432/2025 dhe vendimit A.Nr. 267/2025, rrjedh se z. Rizah Plakolli po ashtu nuk ka pasur autorizim ligjor ta ushtrojë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të IQP-së. Për shkak se është profesional 2., nuk ka kompetencë ta ushtrojë detyrën e Drejtorit Ekzekutiv. Prandaj, ligjërisht, nëse organit autorizimi ligjor nuk i rrjedh nga një ligj, atëherë ai nuk ka kompetencë”, thuhet në një nga ankesat.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në mars ka caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeinspektorit, Rizah Plakollin.

Por caktimi i tij ishte kundërshtuar nga zëvendëskryeinspektori, Agim Millaku, i cili kishte parashtruar ankesë në KPMSHCK.

“Kolegji i Këshillit vlerëson se ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me rastin e nxjerrjes së vendimit me numër protokolli 701/2025 të datës 06.03.2025 për emërimin e nëpunësit civil z. R.P në pozitën ‘Zyrtar Shpenzues dhe i Pasurisë’ e cila është  pozitë e kategorisë profesionale (Profesional 2), nuk ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike dhe gabimisht e ka zbatuar të drejtën materiale, duke vepruar kështu në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, sikurse Vendimi me numër protokolli 701/2025 i datës 06.03.2025 i Ministrit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së. “Ky është akt administrativ i paligjshëm, sikurse përcaktohet me dispozitat e nenit 52 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3, dhe 1.5 të Ligjit Nr.05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe si i tillë është shfuqizuar sikurse në dispozitivin e këtij vendimi”.

Por, përkundër këtij vendimi, Murati e kishte marrë një vendim të ri, duke e caktuar sërish Plakollin në të njëjtën pozitë.

KOHA ka adresuar pyetje lidhur me këtë vendim dhe atë paraprak në Ministrinë e Financave, por për më shumë se dy javë nuk ka marrë përgjigje.

Çështja e caktimit të Plakollit në këtë pozitë tashmë është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria.

Përveç Plakollit, KPMSHCK-ja ka nxjerrë vendim se edhe caktimi ushtrues detyre i drejtorit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, i cili është hartues i planit për personel për 2025, është i kundërligjshëm.

Ky vendim përmendet edhe në ankesat ndaj konkurseve të kontestuara nga kandidatët për pozitat e shpallura.

“Kolegji i Këshillit konstaton se as z. N. Sh. në kuptim të nenit 59 paragrafi dhe 2 të Ligjit Nr.08/L197 për Zyrtarët Publikë, si dhe nenit 6 paragrafi nën paragrafi 4.1 të Rregullores (QRK) Nr.01/2024 për Disiplinën e Nëpunësve Civilë, nuk ka mandat ligjor për inicimin e kërkesës disiplinore ndaj ankueses, për faktin e pa kontestueshëm se i njëjti nuk është mbikëqyrës i drejtpërdrejtë i ankueses, ngase i njëjti kundërligjshëm, përmes Vendimit me numër protokolli 2942 të datës 08.11.2024, ishte caktuar nga z. H. N. dhe atë në pozitën e z. F. K. atë të Menaxherit të Personelit, mirëpo Këshilli përmes Vendimit A.nr.1571/2024 e kishte shfuqizuar si të paligjshëm vendimin për transferimin e z. F. K. në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për Arkiv, duke kthyer këtë të fundit në vendin e punës atë Menaxherit të Personelit sipas Aktemërimit me numër protokolli 02/2021 të datës 19.04.2021”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.

Lidhur me këtë, KOHA prej pesë ditësh ka kërkuar një përgjigje nga ana e Inspektoratit Qendror të punës, por nuk ka marrë përgjigje.

Ky institucion është pyetur edhe për pasojat, nëse këto konkurse kthehen në pikën zero.

Përgjigje KOHA nuk ka marrë as nga Rizah Plakolli e Naim Shalaku.

Edhe ushtruesi paraprak i detyrës së kryeinspektorit, Hekuran Nikqi, ishte caktuar në mënyrë të kundërligjshme në pozitën e kryeinspektorit. Kjo, përveç KPMSHCK-së, është vërtetuar edhe nga Gjykata Themelore, ajo e Apelit dhe Supremja.