Arbëri

Konsumatorët pritet të ndiejnë krizën energjetike pas prillit të vitit të ardhshëm

Foto: Koha

Kriza energjetike ka prekur edhe ekonominë e Kosovës. Nga rritja e çmimeve janë goditur katër konsumatorët vetëfurnizues. Kjo rritje pritet të ketë ndikim edhe te konsumatorët e vegjël, pasi që gjatë dimrit rritet kërkesa për konsum dhe prodhimi nuk arrin të mbulojë 100 për qind këto kërkesa. Çmimi i importit të energjisë aktualisht është mbi 200 euro për megavat, kurse KEDS-i furnizohet nga KEK-u me çmim prej rreth 30 eurosh për megavat

Kriza energjetike në Evropë ka goditur konsumatorët vetëfurnizues në Kosovë, e që në Kosovë janë katër.

Por rritja e çmimeve të energjisë pritet të ketë ndikim edhe te konsumatorët e tjerë. Mosmbulimi i tërësishëm i kërkesës për konsum nga prodhimi vendor rrit nevojën për import të energjisë.

Çmimi i importit të energjisë aktualisht është mbi 200 euro për megavat, kurse KEDS-i furnizohet nga KEK-u me çmim prej rreth 30 eurosh për megavat.

Këto çmime mund të reflektohen te konsumatorët pas prillit të vitit të ardhshëm, kur pritet që të bëhet rishikimi i tarifave.

Qeveria nuk ka bërë të ditur nëse ka ndërmarrë ndonjë hap për përballje më të lehtë me këtë krizë.

Dardan Abazi, hulumtues në INDEP, thotë se Qeveria duhet të marrë masa që të ndihmohet që kjo krizë të mos ndihet te konsumatorët.

“Kriza e paralajmëruar ekonomike natyrisht se do të ketë ndikim edhe në tregun e Kosovës, e ne po hyjmë në muajt e dimrit atëherë kur detyrohemi të importojmë një kërkesë të brendshme të energjisë elektrike dhe në këtë kuptim konsideroj se do të ketë ndikimin e saj, sidomos në faktin që ndërmarrjet e energjisë do të duhet të importojnë me çmime të larta energjinë elektrike që konsumohet në vend”, ka thënë Abazi.

Kosova ka planifikuar që të prodhojë 5.297 GWh, ndërsa kërkesa për vitin 2021, duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 6.433 GWh.

Nga KEK-u thonë se tërë energjinë që e prodhojnë ia ofrojnë KEDS-it.

“Korporata Energjetike e Kosovës sipas licencës ka përgjegjësinë e prodhimit të energjisë elektrike dhe eksploatimit të thëngjillit në përputhje me bilancin energjetik të provuar nga institucionet relevante për sektorin e energjisë. Duke iu referuar kësaj, si dhe marrëveshjes kontraktuale, KEK-u ofron tërë kapacitetin prodhues tek operatori, i cili ka licencë për shpërndarje dhe furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike”, ka thënë Skënder Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.

Gjatë natës kur konsumi është më i vogël, KEK-u tepricën e energjisë e shet për vende të tjera.

Megjithatë, në stinën e dimrit Kosova çdo herë ka probleme energjetike, si rrjedhojë e mungesës së prodhimit në kapacitetet vendore elektroenergjetike dhe mossigurimin e energjisë së nevojshme nga importi.

Abazi thekson nevojën e krijimit të fondit për konsumatorët e cenueshëm, për t’i mbrojtur ata nga rritja eventuale e çmimit të energjisë.

“Ky fond është dashur që të themelohet që nga viti 2016, kur është miratuar Ligji për energji. Pastaj ZRRE-ja të vërë në funksion këto tarifa, siç ishte viteve të kaluara dhe masa të tjera përmes një pakoje të re të ringjalljes, të cilat masa do të ndikonin që konsumatorët të kenë më tepër mundësi që t’i përballojnë këto çmime të larta”, ka theksuar Abazi.

Një ditë më parë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se kriza energjetike në Evropë pritet të ketë ndikim edhe në Kosovë.

“Çmimet e energjisë elektrike për një megavat-orë prej 60 eurosh, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, kanë arritur në mbi 100 euro dhe çmimet për sot kanë arritur në mbi 200 euro, pra po flasim për shtrenjtim të çmimeve katërfish në Evropë, e cila vjen si pasojë e rritjes së kërkesës dhe pjesërisht si pasojë e uljes së ofertës së gazit natyror nga ana e Rusisë. Hipoteza është për të bërë presion për lëshimin e gazsjellësit ‘Nord Stream II’, mirëpo sido që të jetë është një krizë e thellë energjetike që pritet të thellohet edhe më tej gjatë muajve në vijim”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo thekson se Kosova nuk është e izoluar nga ndikimi i çmimeve dhe se, sipas saj, kjo krizë në një masë pritet të ketë ndikim edhe në vend.

“Në një masë pritet që të ketë ndikim në Kosovë, ngase vendi ynë nuk është komplet i izoluar, mirëpo ne këtu e kemi fatin që në masë të madhe bazohemi në kapacitetet tona gjeneruese këto me thëngjill që i kemi, e që janë ndotëse e janë shumë të këqija për shumë arsye, mirëpo këto na lejojnë neve siguri të furnizimit me energji elektrike dhe me një çmim të përballueshëm për konsumatorët”, theksoi ajo.

Sipas ministres Rizvanolli, me ardhjen e sezonit të dimrit qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për rritje eventuale të çmimeve.

“Tregu në Kosovë është i rregulluar dhe çmimi i energjisë elektrike për konsumatorë është i rregulluar. Megjithatë, qytetarët duhet të janë të përgatitur për probleme eventuale të sezonit të dimrit kur kërkesa dhe çmimet rriten”, ka shtuar ajo.

Për rritjen e çmimeve që pritet të ndodhë, kanë nisur të merren masa në rajon dhe Evropë.

Të premten, Qeveria e Shqipërisë ka shpallur emergjencë në furnizimin e energjisë elektrike, e të shtunën ka prezantuar planin për përballimin me këtë situatë.

“Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë. Në këtë kuptim të gjithë janë të prekur”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm. Edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin më parë. Ajo që na takon është të mbrojmë konsumatorët tanë”.

Rama ka siguruar qytetarët në Shqipëri se familjet dhe bizneset e vogla e të mesme nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë, pasi ka thënë se Qeveria do t’i subvencionojë.

Por, në Qeverinë e Kosovës nuk ka pasur ndonjë reagim deri tash.

E “NewCo Ferronikeli” që e pezulloi punën para dy ditësh për shkak të energjisë, tha se paraprakisht kishte kërkuar ndihmë nga ekzekutivi.

“Drejtuesit e ‘NewCo Ferronikeli L.L.C’, në kërkim të zgjidhjes, i janë drejtuar me shkresa informacionesh mbi krizën e energjisë edhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe ministrave të dikastereve përkatëse, për ndihmë në tejkalimin e kësaj situate të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftim. “Ndërmarrja kërkoi ndërhyrjen e Qeverisë jo për të krijuar fitime, por për të shmangur ndaljen e prodhimit, në mënyrë që të mos mbesin pa vende pune mijëra punëtorë”.