Arbëri

Konsujt e shkarkuar nga Osmani, të afërt me partitë në pushtet

Katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë i ka shfuqizuar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pas raportimeve të KOHËS. Në mesin e tyre është edhe dekreti për emërimin e djalit të Haxhi Shalës, Flakronit - konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë. Tre të shkarkuarit e tjerë janë: Blendi Kilaj (Lubjanë), Lindon Kqira (Shkup), Halim Krasniqi (Tiranë).

Dekretet i kishte firmosur ish-presidenti Hashim Thaçi, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Diasporës.

Siç thuhet në komunikatën për media të Presidencës, “sa u përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada”.

“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. së presidentes, Osmani, ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga presidenti paraprak”, thuhet në njoftim.

Vetëm pas raportimit të KOHËS dhe reagimeve të shumta është deklaruar edhe kryeministri Avdullah Hoti, duke paralajmëruar rishikim funksional të rrjetit të misioneve diplomatike, proces që do të bëhet në koordinim me ushtruesen e detyrës së presidentes. Premtimin e ka dhënë pas një telefonate me Osmanin.

“E njoftova znj. Osmani se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbyllë së shpejti analizën e rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike të Kosovës. Mbi bazën e kësaj analize, do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme: (1) për të siguruar funksionim efikas të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës; dhe (2) përbërja e misioneve diplomatike të jetë në përputhje me ligjin”.

E, në një postim tjetër Hoti është distancuar nga emërimi i Shalës në Pragë duke thënë se vendimmarrja nuk është koordinuar me të.

“Për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua. Qeveria është në proces të analizimit dhe rishikimit funksional të rrjetit të misioneve diplomatike”, ka shkruar ai.

Mirëpo, kur dekretin e ka nënshkruar ish-presidenti Thaçi, i njëjti është përcjellë edhe në Zyrën e Kryeministrit.

Kurse djali i deputetit Haxhi Shala, Flakroni, në reagimin e parë pas publikimit të lajmit e ka arsyetuar emërimin. Ai thënë se s’ka asgjë të keqe që si i biri i deputetit është emëruar në detyrë shtetërore.

“Në pozitën Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës jam emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të MPJ-së dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës. I gjithë ky proces është bazuar në CV-në time dhe përvojën pesëvjeçare në pozitën menaxher shteti për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në kompaninë çeke “Elanor a.s.”, përfshirë kualifikim universitar me gradën Master i Ekonomisë dhe PHD kandidat, drejtimi Teoria e Ekonomisë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

“Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua”.

Shala nuk ka treguar saktë të dhënat e përvojës së punës. Bazuar në të, djali i deputetit Haxhi Shala, tha se ka përvojë 3-vjeçare si menaxher shteti për Ballkan në një kompani çeke dhe anëtar bordi.

Por, bazuar në të dhënat në faqen zyrtare të kompanisë “Elanor a.s”, Shala është emëruar në pozitën e menaxherit vetëm para 3 muajsh dhe atë jo për Ballkanin, por për Kosovën.

“Jemi të lumtur të njoftojmë se kemi emëruar Flakron Shalën si menaxher për Kosovë të ‘Elanor’, që është efektive nga 1 gushti 2020”, thuhet në njoftimin që mban datën 4 shtator të këtij viti. Aty shtohet se Flakron Shala ka qenë për 3 vjet vetëm punëtor i thjeshtë i kompanisë dhe ka prezantuar një strategji biznesi për Kosovën, që pastaj i është aprovuar nga Bordi i drejtorëve.

“Elanor a.s”, sipas të dhënave në uebfaqe, është kompani që ofron shërbime në fushën e resurseve njerëzore.

Shkeljet ligjore

Sipas Ligjit dhe rregulloret me të cilat funksionon Ministria e Jashtme, pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkursit të hapur.

Derisa 50 për qind e ambasadorëve ose shefave të misioneve mund të emërohen me çelës politik vetëm për një mandat, kjo nuk vlen për konsujt e përgjithshëm. Po ashtu, janë tri grada nëpër të cilat duhet të kalojë një zyrtar në Komisionin përkatës, para se t’i jepet titulli konsull i përgjithshëm.

MPJ-ja nuk ka dhënë sqarime nëse është ndjekur kjo procedurë.

Vëzhgues të punës së shërbimit të jashtëm thonë se emërimi i Shalës është vazhdimësi e praktikës ku misionet vihen në shërbim të interesave partiake.

“Sa u përket shefave në misionet konsullore duhet cekur që ata gjithsesi duhet të jenë pjesë e shërbimit konsullor dhe të rrjedhin nga radhët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në këtë kuptim, në dallim prej shefave të misioneve në misione diplomatike, kur një pjesë e tyre mund të jenë të dërguar politikë, shefat e misioneve konsullore duhet jenë pjesë e shërbimit konsullor. Çdo rrugë tjetër e ndjekur përbën shkelje ligjore”, ka thënë Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Të shkarkuarit, të afërt me partitë në pushtet

KOHA ka raportuar më herët edhe për tre të shkarkuarit e tjerë nga misionet konsullore.

Në fillim të shtatorit, ish-presidenti në mënyrë të jashtëligjshme ka firmosur dekretin nëpërmjet të cilit iu vazhdua mandati edhe për katër vjet të tjerë konsullit të përgjithshëm në Tiranë, Halim Krasniqi. Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, emërimi i konsujve të përgjithshëm bëhet me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës, pas rekomandimit të ministrit të Punëve të Jashtme. Në rastin e Krasniqit, i cili është vëllai i sekretarit të Qeverisë, Fitim Krasniqi, ky rekomandim ka munguar.

Derisa Thaçi nuk e ka sqaruar bazën ligjore të dekretit, Ministrinë e Jashtme, si rrallëherë kishte kërkuar tërheqjen e Krasniqit nga Konsullata.

Vendimi për tërheqjen e Krasniqit ishte marrë më 30 mars të këtij viti nga ish-ministri Glauk Konjufca. Por presidenti ka refuzuar ta dekretojë tërheqjen gjatë kohës së Konjufcës, por edhe pas ardhjes së Meliza Haradinajt në krye të Ministrisë.

Mbështetur në ligj, të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit, që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm, shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të tij Ministria nuk ka obligim ndaj tyre.

Në përfundim të mandatit të parë, Krasniqi ishte denoncuar nga një zyrtare e Konsullatës me akuzën për sulm fizik, rast për të cilin kishte raportuar “Koha Ditore”.

Një padi nga ish-zyrtarja e Konsullatës është ngritur edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës para pesë muajsh.

Halim Krasniqi ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Tiranë më 26 prill të vitit 2016, nëpërmjet një dekreti të firmosur nga presidenti Hashim Thaçi, të njëjtin muaj kur ky i fundit ishte inauguruar president i vendit. Dekreti kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, pavarësisht faktit se atëkohë nuk kishte konsullatë të formuar, ndërsa Krasniqi vepronte në kuadër të Ambasadës.

Kurse i shkarkuar tjetër, Blendi Kilaj më 21 shtator të 2019-s ishte propozuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, si konsull i përgjithshëm në Lubjanë. Emërimi kishte ndodhur pavarësisht faktit se Konsullata nuk ekzistonte. Në bazë të propozimit, presidenti Hashim Thaçi kishte nxjerrë dekret për emërim. Ai është djali i ish-kryetarit të Malishevës nga radhët e PDK-s, Isni Kilaj.

E, Lindon Kqira ka qenë ndër njerëzit e fundit që ka marrë gradë diplomatike nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Nëpërmjet një vendimi të dyshimtë, zyrtari i Partisë Liberale (PLK) ishte dërguar në Ambasadën e Kosovës në Shkup, në krye të së cilës është kryetari i nderit i së njëjtës parti Gjergj Dedaj.

Nëpërmjet vendimit, Kqirës i ishte dhënë grada diplomatike “ministër këshilltar”, e treta për nga lartësia, pas gradës ambasador dhe ministër.