Mosshkarkimi i pesë konsujve të përgjithshëm, të cilët ishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme, po konsiderohet qasje selektive nga ana e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Pas mungesës së vendimmarrjes, Sindikata brenda këtij dikasteri ka kërkuar edhe një herë ndërhyrjen e kryeministrit Kurti dhe të presidentes Osmani për kthimin e ligjshmërisë në MPJD. Mbështetur në legjislacionin në fuqi, konsujt nuk mund të emërohen nëpërmjet çelësit politik
Pesë konsuj të përgjithshëm që ishin emëruar me çelës politik, ligjshmëria e të cilëve është kontestuar, mbeten të paprekshëm nga ministrja Donika Gërvalla.
Pas marrjes së detyrës ajo kishte paralajmëruar kthimin e ligjshmërisë në misionet konsullore, por deri tash vetëm disa prej tyre janë shkarkuar.
Pas më shumë se një viti të qeverisë Kurti, detyrën vazhdojnë ta ushtrojnë konsulli i përgjithshëm në Toronto, Donat Syla; konsulli i përgjithshëm në Stamboll, Suzanë Novobërdaliu; ai në Strugë të Maqedonisë së Veriut, Agim Krasniqi; konsulli i përgjithshëm në Zarë, Esat Brajshori, dhe Afrim Nura që vazhdon të punojë si konsull i përgjithshëm në Munih. Të gjithë këta ishin emëruar nga qeveritë e kaluara.
KOHA ka pyetur në Ministri në lidhje me këtë çështje, por nuk ka ofruar përgjigje.
Në mungesë të vendimmarrjes nga ana e ministres, Shoqata Sindikale brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme ka kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit dhe të presidentes. Kjo konfirmohet nëpërmjet shkresave që u janë dërguar, e fundit në prill të këtij viti.
“Shoqata kishte konsideruar se në vijim të kërkesave tona të vazhdueshme, ishte një sinjal pozitiv tërheqja e konsujve të përgjithshëm të emëruar kundërligjshëm përmes çelësit politik, por jo mjaftueshëm, sepse disa prej tyre ende qëndrojnë në detyrë dhe mbajnë pozitën e konsujve të përgjithshëm. Përveç kësaj, një sinjal tjetër në drejtim të kthimit të ligjshmërisë dhe të sanimit të gjendjes së krijuar mund të theksohet edhe fillimi i anulimit të vendimeve pa bazë ligjore, por kjo për Shoqatën sindikale është shqetësuese nëse ndodh në mënyrë selektive”, thuhet në shkresën e Shoqatës, e cila një të tillë ia kishte dërguar Kurtit edhe në mars.
Përveç injorimit të kërkesave të vazhdueshme, shqetësime janë ngritur për vazhdimësi të emërimeve dhe gradimeve të kundërligjshme. Aty përmendet emërimi i Lulzim Hisenit konsull i përgjithshëm në Strasburg, aktualisht me gradë ministër-këshilltar. Sipas Shoqatës, Hiseni është ngritur kundërligjshëm në dy grada në të njëjtën kohë- nga sekretari i parë në ministër-këshilltar, pa kaluar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë.
“Si rrjedhojë, Hiseni nuk i ka plotësuar kriteret për të konkurruar dhe emëruar konsull i përgjithshëm, marrë parasysh se ka dy grada të kundërligjshme. Në këtë kuadër, e ripërsërisim kërkesën tonë që të rishikohen emërimet e tilla në kundërshtim me kërkesën e Shoqatës dhe në pajtim edhe me qëndrimet dhe premtimet e Qeverisë së Kosovës dhe të MPJD-së, që do të rishikohen dhe shfuqizohen të gjitha vendimet e paligjshme dhe të kthehet ligjshmëria në shërbimin e jashtëm. Po ashtu, ripërsërisim kërkesën që asnjë dosje/aplikacion të mos kualifikohet dhe të bëhen emërime në misione diplomatike/konsullore pa verifikimin e kritereve të ligjshmërisë së gradave, (kandidati) të ketë të drejtë aplikimi/ të dërgohet vetëm në pozitën që i përshtatet gradës së fituar në mënyrë të ligjshme”, thuhet në dokument.
Sa u përket gradave, Ministria ende nuk e ka mbyllur procesin e nisur qysh në shtatorin e vitit të kaluar, ku diplomatët ishin ftuar të shprehnin interes për gradim dhe për plotësimin e pozitave të lira në misione diplomatike/konsullore, sidomos për konsuj të përgjithshëm në 8 vende. Por Shoqata e konsideron të papranueshëm faktin që me këtë ftesë nuk është kërkuar plotësimi i kriterit të ligjshmërisë së gradave.
“Në këtë kuadër patëm kërkuar me ngulm që të mos merren parasysh gradat e dhëna jashtë Komisionit të gradave, dhe kandidatët mund të konkurrojnë vetëm për pozitat që kërkohet grada e dhënë në mënyrë të ligjshme. Për fat të keq, kërkesa jonë është injoruar në tërësi dhe së fundi kemi mësuar se janë emëruar në misione diplomatike/konsullore zyrtarë, gradat e të cilëve janë marrë në mënyrë të kundërligjshme”, shkruan në shkresën e Sindikatës.
KOHA ka pyetur në Presidencë dhe në Zyrën e kryeministrit për veprimet që do të t’i ndërmarrin pas shkresës së Shoqatës, por nuk kanë ofruar sqarime.
tash, ministrja ka shkarkuar konsullin e përgjithshëm në Nju-Jork, Frymëzim Isufaj, konsullin në Hamburg, Gramos Begolli, si dhe konsullin e përgjithshëm në Bullgari, Lulzim Rifaj.
Mbështetur në legjislacionin në fuqi – Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Ligjin për Shërbimin Konsullor – konsujt nuk mund të emërohen nëpërmjet çelësit politik. Me çelës politik mund të emërohen më së shumi deri në 50 për qind e shefave të misioneve diplomatike, kurse të gjithë anëtarët e tjerë të stafit diplomatik/konsullor të të gjitha rangjeve, sipas ligjit, duhet të jenë nga radhët e anëtarëve të shërbimit të jashtëm të karrierës. Kjo kërkon që pranimi të bëhet përmes konkursit të hapur.
Konsullata të pashembullta për nga mënyra si janë ngritur dhe emërimi i titullarëve të tyre duke shpërfillur ligjet, kishte hapur ndër vite Ministria e Punëve të Jashtme.
Mbështetur në ligje, por sipas praktikës ndërkombëtare, nuk krijohen konsullata të përgjithshme në kryeqytete ku ekzistojnë ambasadat.
E tillë është vlerësuar të jetë Konsullata e Përgjithshme në Tiranë, e cila funksiononte brenda Ambasadës së Kosovës. Por vitin e kaluar Qeveria mori vendim për mbylljen e saj.