Arbëri

Konstatohen një varg shkeljesh e mangësi në projektin “Zgjerimi dhe Pastrimi i Lumit në Shtime”

Prej vitesh Komuna e Shtimes në bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë nisur projektin “Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Shtimjanja në drejtimet Caralevë-Shtime, dhe Mollpolc-Petrovë-Shtime-Vojnovc” në vlerë prej rreth 250 mijë eurosh. Por ky projekt nuk është finalizuar ende në tërësi, madje zyrtarët e Ministrisë, kanë bërë edhe inspektime të punimeve, ndërkohë kanë gjetur një varg shkeljesh dhe parregullsi.

Në këtë projekt vërejtje ka gjetur edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e fundit.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nëpërmjet një shkrese ka sqaruar se është formuar grupi punues ministror për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuara nga buxheti i MMPHI me ç’rast janë evidentuar shumë mangësi procedurale e shkelje ligjore.

“Një nga gjetjet e grupit punues nga shqyrtimi i dokumentacionit është projekti ‘Zgjerimi dhe pastrimi i lumit Shtimjanja në seksionet Caralevë-Shtime, dhe Mollpolc-Petrovë-Shtime-Vojnovc’. Vlera e hartimit te projektit 299,420.00 euro, vlerë kjo për pastrim te lumit, projekti i ka gjithsejtë 18 faqe, ndërsa vlera e tërësishme e dy kontratave 598,414.30 euro. Ky projekt është me bashkëfinancim. Ne shkresat e lëndës nuk ka leje ndërtimi, pëlqim ujor dhe pëlqim mjedisor”, thuhet në shkresën e MMPHI-së.

Ndërkaq, në bazë të një pjese të projektit të cilin e ka siguruar KOHA, punët përgatitorë kanë kosto më të madhe se punët kryesore, vlera e punëve përgatitore është 360,781.50 euro, ndërsa punët kryesore kanë një vlerë prej 97,637.00 eurosh. Ndërkaq sipas MMPHI-së projekti nuk ka raport teknik dhe përshkrim teknik.

“Titulli i projektit është pastrim i lumit, ndërsa brendia pastrim dhe zgjerim, ndërsa zgjerim nuk ka, projektin e ka porositur Ministria. Projekti kryesor, nuk e përmban ne veti projektin ideor, projekti ideor nuk na u ka prezantuar ne shkresat e lëndës dhe nuk ka projekt ideor, ndërsa fatura për pagesë e përmban edhe pjesën ideore të projektit. Projektin hartues, zgjerimi dhe pastrimi i lumit Caraleve –Shtime dhe Mollopolc-Petrove-Shtime Vojnovc, në pesë kopje të forta dhe një kopje në formë elektronike-CD e kishte pranuar koordinatori i projekteve dhe i cili kishte vlerësuar se projekti është dorëzuar konform kontratës dhe i cili i plotëson të gjitha kërkesat teknike, i njëjti i kishte pranuar faturat, për pagesën e këtij projekti hartues, i kishte aprovuar dhe procesuar për pagesë”, thuhet më tej në raportin e zyrtarëve të MMPHI-së një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA.

Ndërkaq, hartimi i këtij projekti zbatues ishte iniciuar nga njësia kërkuese, Departamenti i Ujërave i cili inicim ishte një inicim formal, i pa argumentuar, i paarsyetuar, inicimi ishte bërë me një shkresë me pesë rreshta, ndërsa vlera e pagesës për ketë projekt ishte 299,420.00 euro.

“Konsiderojmë se ka pasur tejkalim te kompetencave ligjore nga ana e zyrtarit përkatës për pranimin e dokumentacionit ndërtimor dhe i njëjti nuk ishte kthyer mbrapa apo ne plotësim. Ndërkaq, nga shikimi i kryer në terren ka mundur të konstatohet se faza e parë e projektit (pastrimi i lumit në gjatësi 28.9km ishte kryer në vitin 2016. Shtrati i pastruar i lumit dhe në disa seksione i zgjeruar ishte në gjendje relativisht të mirë”, thuhet më tej në raport.

Në raportin e MMPHI-së thuhet se zyrtarët komunal të Shtimes kanë sqaruar se pas pastrimit të lumit të kryer me këtë projekt, nuk ka pasur më përmbytje të tokave buzë shtratit të lumit që ka qenë dukuri e rregullt para pastrimit të lumit.

Rreth kësaj çështje KOHA gjatë këtyre ditëve ka provuar të marrë një deklaratë nga zyrtarët komunal të Shtimes por ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve.

Ndërkaq, Incizimi gjeodezik pas kryerjes së punimeve nuk ishte realizuar megjithëse kishte qenë e paraparë me kontratë, kurse pagesa për zbatimin e punimeve është kryer në tërësi nga MMPH në vlerë prej 180 mijë e 489 eurosh dhe nga komuna në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Ministria ndërkohë, nëpërmjet një shkrese ka sqaruar se shkaku i mungesës financiare faza e dytë në këtë projekt ende nuk ka përfunduar tërësisht.

“Në vend të 5 urave secila në gjatësi 10 metra, janë ndërtuar 6 ura, njëra prej tyre në gjatësi 10 metra dhe 5 të tjera në gjatësi nga 7 metra secila. Shtrati i lumit brenda zonës urbane të Shtimes është rregulluar pjesërisht – vetëm muret e brigjeve të shtratit minor në gjatësi 600 metra. Muret janë betonuar por nuk janë muratuar me gur siç është përshkruar në kontratë. Duhet theksuar se me kontratë ka qenë paraparë që afati i përfundimit të punimeve është dhjetori i vitit 2018”, thuhet në shkresën e MMPHI-së.

Image