Kuvendi Komunal në Shtime ka bërë edhe tri shkelje ligjore. Pak ditë pasi Kuvendi Komunal mori dy vendime të kundërligjshme, dy ministri i kanë vlerësuar të kundërligjshme edhe tri vendime të tjera.
Ministria e Drejtësisë e ka kthyer si të kundërligjshëm vendimin për rregulloren komunale për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba për vitin 2022 e cila është miratuar në mbledhjen e kaluar. Pastaj Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka kthyer të kundërligjshëm vendimin për Rizgjedhjen e Komitetit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport dhe vendimin për Rizgjedhjen e Komitetit për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, Ambient dhe Shërbime të cilat janë miratuar po ashtu në mbledhjen e fundit të Kuvendit.
Ky kuvend edhe në mbledhjen paraprake, pati marrë dy vendime të kundërligjshme për të cilat pati raportuar KOHA.
Zyrtari ligjor në këtë komunë, Lulzim Muharremi, ka thënë se zyrtarët nuk konsultohen gjithherë për të gjitha aktet e Komunës.
“Më shumë janë marrë sekretaria e Kuvendit me këto, por nuk më kanë pyetur mua që t’i shikoj ato. Pra, në këtë rast nuk janë konsultuar me mua sepse kanë menduar se gjithçka është në rregull, kurse për rastet tjera konsultohen”, ka thënë Muharremi.
Adnan Ademi, kryesues i Kuvendit Komunal në Shtime, ka thënë se MAPL-ja i ka sugjeruar të veprojnë me një udhëzim të ri e, për të cilin nuk kishte qenë në dijeni se ekziston.
“Sipas rregullores së re në këto komitete përveç kuvendarëve duhet të marrim edhe nga një ekspert të jashtëm, pra ne do ta largojmë nga një kuvendar nga këto komitete dhe do të futen ekspertët e jashtëm. Pra, ndryshimet në udhëzimin e ri administrativ nuk i kam ditur, por shpeshherë nuk po varet gjithçka prej meje sepse nganjëherë kur nuk janë votat atëherë po votohet ndryshe”, ka thënë Ademi.
Rreth vendimeve të kundërligjshme ka reaguar edhe PDK-ja si opozitë.
“Udhëheqja e re komunale si duket nuk ka të ndalur me shkelje të ligjshmërisë së akteve ligjore. Kështu kishte konstatuar muaj më parë MAPL, ndërsa edhe këtë muaj ajo ka kthyer tri vendimet të cilat konsiderohen në kundërshtim me ligjin. Zyrtarët kompetentë, përfshirë edhe ata ligjorë nuk po e kryejnë punën e tyre siç duhet sepse të rikthehen vazhdimisht këto vendime të kundërligjshme tregohet një shpërfillje e punës institucionale. PDK duke u nisur nga përvoja dhe profesionalizimi, me kohë i kemi dhënë sugjerime ekzekutivit dhe Kuvendit se si duhet të zgjidhen këto komitete, por inatet politike po i çojnë në shkelje ligjore të cilat duhet vlerësuar nga vetë qytetarët”, thuhet në reagimin e PDK-së, duke shtuar se këto vendime duhet të rishqyrtohen patjetër në mbledhjen e radhës së Kuvendit brenda afatit 30 ditë.
Në vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, të 14 prillit, ka kërkuar nga Kuvendi Komunal ta rishqyrtojë ligjshmërinë e rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba, duke thënë se ka dispozita ndëshkimore që prekin fushën e MD-së.
MAPL-ja ka thënë se vendimi për zgjedhjen e Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ambient për Shërbime Publike, nuk është në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi, duke rënë në kundërshtim me udhëzimin administrativ për procedurën e themelimit, përbërjen e kompetencat e komiteteve të përhershme.
Njëjtë vlen edhe për vendimin për zgjedhjen e Komitetit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport.