Arbëri

Konsensusi i brendshëm shihet si domosdoshmëri për themelimin e Asociacionit

Qeveria e Kosovës

Ndërtimi i konsensusit e koordimi Qeveri-opozitë janë vlerësuar të domosdoshëm në raport me hapat e ardhshëm të Kosovës lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Njohës të zhvillimeve politike thonë se dialogu është interes i të gjithëve, andaj duhet të ketë përpjekje për ndërtim të konsensusit dhe harmonizim qëndrimesh

Moskonsensusi i përgjithshëm mes aktorëve politikë të Kuvendit është vlerësuar si pikë e dobët e dialogut Kosovë-Serbi.

Lidhur me hapat e radhës drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, njohësit e çështjeve politike thonë se është i nevojshëm konsensusi i brendshëm.

Hulumtuesi i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, ka thënë se në këtë pikë kritike për dialogun është e domosdoshme që të arrihet një pajtueshmëri, të paktën për vijat e kuqe që nuk bën të kalohen në draftstatutin e Asociacionit.

“Ky konsensus minimal do të ishte që të dakordohet se mbi të cilat vija duhet të draftohet statuti i Asociacioni dhe si të shkohet në implementim. Kundërshti mund të ketë në aspekte të caktuara, por duhet një konsensus në parime dhe pozicionet e Kosovës në këtë temë dhe deri kur do të jetë limiti në këtë temë. Kjo duhet të jetë mirë e përcaktuar nga i gjithë spektri politik në Kosovë pasi dialogu nuk është çështje vetëm e kësaj qeverie”, ka thënë Fetahu.

E politologu Artan Muhaxhiri ka theksuar se në procese me peshë të tillë politike duhet harmonizim mes akterëve politikë të Kuvendit e edhe përfshirje e shoqërisë civile.

“Asociacioni është një etapë jetike për shtetin e Kosovës, sepse do të fuqizojë raportin e procesit të dialogut, por në anën tjetër do të ofrojë edhe garanci për serbët e Kosovës pas një lloj njohjeje që do të vjen nga ana e Serbisë me përfundimin e procesit të dialogut. Prandaj do të jetë pjesë e strukturës së re shtetërore të Kosovës, prandaj kjo është arsyeja pse kryeministri Kurti e ka obligative që në aspektin politik dhe moral që të koordinohet me opozitën, me shoqërinë civile dhe me ekspertë të ndryshëm që t’i harmonizojë qëndrimet e tij”, ka thënë Muhaxhiri. “Pa një validitet të përgjithshëm social dhe të diskursit publik në Kosovë nuk mendoj se mund të marrë vendimin final për Asociacionin”.

Të dielën Qeveria nuk është përgjigjur në lidhje me hapat që do t’i ndërmarrë për ndërtimin e konsensusit apo për konsultimin e opozitës dhe të shoqërisë civile lidhur me Asociacionin.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Kosovës që t’i përshpejtojë hapat për themelimin e Asociacionit, derisa Serbisë që është aktualisht në fushatë zgjedhore i ka kërkuar hapa drejt njohjes së Kosovës de facto.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar draftstatutin e Asociacionit. Ai nuk ka pranuar ta publikojë, me arsyetimin se kjo është marrëveshja mes palëve në dialog.