Arbëri

Konsensus i gjerë kundër negociatave për dinarin

DIALOGU KOSOVË-SERBI

Njohës të çështjeve politike i kanë dhënë të drejtë Qeverisë në përcaktimin për të mos çuar në Bruksel përfaqësues politikë, për të diskutuar më 27 shkurt implikimet e rregullores së BQK-së, me të cilat ndalohet dinari në Kosovë. Edhe përfaqësues të opozitës kanë thënë se sikur autoritetet t’i përgjigjeshin pozitivisht ftesës, kjo do të nënkuptonte se me Serbinë negociohen çështjet e brendshme

Kosova nuk duhet të paraqitet në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, nëse Brukseli synon që çështja e dinarit serb të bëhet temë diskutimi në nivel politik, kanë thënë të shtunën njohës të rrethanave politike.

Bashkimi Evropian (BE) ka ftuar këtë takim mes palës kosovare dhe asaj serbe, me qëllimin që, siç thanë zyrtarët në Bruksel, të gjetet zgjidhje për Rregulloren e Bankës Qendrore (BQK) për operacione me para te gatshme. Sipas BE-së, rregullorja, për të cilën nuk janë zhvilluar konsultime, pati ndikim te pala tjetër.

Por, profesori i së drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se nëse niveli i diskutimit do të jetë teknik, atëherë në takim duhet të marrin pjesë përfaqësues të BQK-së.

“Nëse bisedohet atje në nivel politik dhe në kuadër të dialogut, është e pavend të shkohet dhe nuk duhet të shkojnë institucionet tona. Nëse bisedohet në nivel teknik dhe profesional, banka me bankën pra, institucioni i Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran me një institucion tjetër të Serbisë për një çështje që i tangon qytetarët e dy vendeve, atëherë është krejt në rregull që të shkohet me 27 dhe të bisedohet”, ka deklaruar Baraliu.

Njësoj ka vlerësuar edhe profesori i shkencave politike Basri Muja. Sipas tij, Kosova nuk duhet të lejojë që çështjet e brendshme të saj të zgjidhen në negociata me Serbinë.

“Unë mendoj që Kosova nuk do të duhej të paraqitej në këtë takim me përfaqësues më të lartë të cilët janë të ngarkuar me dialog. E kam fjalën këtu para së gjithash me zëvendëskryeministrin Bislimi, sepse Kosova nuk duhet të lejojë që secila çështje e brendshme të bëhet temë për Bruksel”, ka potencuar Muja.

Në Qeveri edhe të shtunën janë shprehur se nuk kanë luajtur nga qëndrimi se kryenegociatori apo anëtarë të ekipit negociator nuk do të marrin pjesë në këtë takim. Ndërkaq mbi atë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në takim, kanë thënë se do të ketë njoftim me kohë.

“Nuk ka ndryshuar qëndrimi nga çka kemi deklaruar më herët. Ndërsa, në lidhje me takimin, siç ka thënë edhe zëvendëskryeministri (Besnik Bislimi v.j.) të mërkurën në deklaratën e tij, do të informoheni me kohë”, është përgjigjur Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi.

KOHA ka bërë përpjekje që nga Banka Qendrore dhe guvernatori Ahmet Ismaili të marrë informacione përkitazi me pjesëmarrjen e mundshme në takim, por nuk ka siguruar përgjigje në pyetjet që u janë dërguar.

Edhe deputetë të partive opozitare janë shprehur kategorikë që autoritetet e Kosovës të mos i përgjigjen ftesës së Brukselit për pjesëmarrje në takimin e 27 shkurtit.

Driton Selmanaj, ligjvënës i Lidhjes Demokratike, është shprehur se assesi nuk duhet të merret pjesë në takimin e këtij formati. Ai ka shtuar se Qeveria nuk duhet të lejojë që në Bruksel të diskutohet për çështjet e brendshme të Kosovës.

“Absolutisht nuk duhet të shkohet dhe bisedohet për këtë çështje. Çështja e përdorimit të valutave është krejtësisht çështje e brendshme e Republikës së Kosovës, dhe kjo çështje është e përcaktuar edhe me mandatin kushtetues që kanë institucionet tona Kushtetuese. Problemi është se ky ose kjo Qeveri, mënyra se si po i marrin vendimet, ku po na dërgojnë herë në Bruksel herë në Këshill të Sigurimit, problemi është te këta. Nuk diskutohet kështu, nuk është qasja që duhet të ndiqet në procesin e dialogut me Serbinë”, ka thënë Selmanaj për Ekonomia Online.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka vlerësuar se diskutimet me Serbinë për dinarit, dëmtojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Këta po e dëmtojnë Kosovën, edhe subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Dhe tash shihni, në vend se të dialogohet për marrëveshje përfundimtare ku respektohet sovraniteti, integriteti, ku respektohet Kushtetua e Republikës së Kosovës, e kanë kthyer dialogun për çështjen e dinarit njëjtë sikur ka qenë skenari i kësaj Qeverie për targat”, ka theksuar ajo.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se edhe Qeveria me veprimet e pakoordinuara por edhe qasja jo neutrale e Bashkimit Evropian kanë ndikuar që në Bruksel të hapen për diskutim çështje që i takojnë vetëm Kosovës.

“Ka ndodhur rrëshqitja e çështjeve dialoguese reciprokisht në mes të Kosovës dhe Serbisë nga ato teknike në politike dhe diplomatike ndërkombëtare, në të cilat pastaj Serbia vazhdimisht ka përfituar... Është një qasje e gabuar, politikë miope, shkurtpamëse e BE-së dhe e padrejtë. Qartazi e padrejtë ndaj Kosovës”, është shprehur Baraliu.

Kritik ndaj Brukselit është treguar edhe Muja.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian, ne jemi dëshmitarë që nuk ka qenë shumë i paanshëm, posaçërisht kohëve të fundit dhe mendoj që edhe kjo kërkesë e tyre, e paarsyeshme sipas mendimit tim, është vetëm se vazhdim i asaj fushate që Qeverinë e Kosovës e ka vendosur në një presion goxha të madh”, ka shtuar Muja.

Brukseli zyrtar ka konsideruar si të nevojshëm takimin për gjetjen e një zgjidhjeje për zbatimin e Rregullores së BQK-së, që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa brenda shtetit, ani se Kosova ka përgatitur një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores.

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës.

Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia.

Ky vend i ka ndarë 139 milionë euro për Kosovën për vitin 2024 – rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së, duke e konsideruar vendimin e autoriteteve si tentim për dëbim të serbëve nga Kosova.