Me disa aktivitete Kuvendi i Kosovës e ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Kryetari Glauk Konjufca u shpreh se një ndër elementet kyç të demokracisë është edhe transparenca, e cila, sipas tij, i bën qytetarët që të jenë pjesëmarrës në procesin e demokratizimit të vendit dhe shoqërisë. Gjatë ditës Kuvendi ishte i hapur për vizita e për informim të qytetarëve për rolin e tij, si dhe për zhvillimin e disa aktiviteteve
Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka hapur dyert për të mirëpritur qytetarë e për të zhvilluar një varg aktivitetesh. Holli i Kuvendit, ku shoqëria civile kishte hapur panair, u mbush me të interesuar që donin të dinin rolin e demokracisë për konsolidimin e shtetit dhe angazhimin e institucioneve në funksion të kësaj. Fjalim para të pranishmëve ka mbajtur edhe kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se përpjekjet për ta bërë Kosovën pjesë të demokracive ndërkombëtare janë meritë edhe e legjislaturave të mëparshme, përveç kësaj të cilën e drejton.
“Transparenca është një prej elementeve thelbësore të një qeverisje demokratike. Kjo e rritë besueshmërinë e publikut dhe të shoqërisë në institucionet tona dhe në të njëjtën kohë edhe e bën qytetarin hisedar të vendimmarrjes dhe pjesëmarrës në procesin demokratik”, ka thënë Konjufca.
Ai më tej ka theksuar se të gjitha të arriturat e shoqërisë janë testament i së kaluarës, që do t’u përcillet gjeneratave të reja, për të cilat bëri thirrje për investim në edukimin e tyre.
“Ne duhet të punojmë më shumë për krijimin e mundësive për angazhimin sa më aktiv të të rinjve dhe t’i fuqizojmë ata përmes programeve dhe platformave të ndryshme. Forma më e mirë se si mund të arrihet kjo është duke investuar në forcimin e edukimit dhe zhvillimit të aftësive të të rinjve”, ka shtuar ai.
E deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu, ka thënë se raportet ndërkombëtare po e dëshmojnë angazhimin e institucioneve në zhvillimin e demokracisë në Kosovë.
“U radhitëm të tretët në botë sa i përket të qenit shtet demokratik nga raportet e fundit të nxjerra nga ‘Freedom House’, çfarë na bën shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor, por shkojmë edhe për tej kësaj”, ka thënë ajo.
Por në kremten e demokracisë, deputetja opozitare, Blerta Deliu, qe më kritike dhe përmendi disa nga problemet që mund ta minojnë demokracinë.
“Sfidë tjetër është pa dyshim edhe cenimi i institucioneve të pavarura, që po ashtu është parakusht kryesor i rëndësishëm i ndërtimit të institucioneve tona të drejtësisë”, është shprehur Deliu.
Sfidë tjetër ajo përmendi lirinë e mediave, e cila tha se nuk guxon të cenohet.
“Media vazhdon të jetë gardian i një shteti demokratik dhe duhet të jemi vigjilent si shtet që ta ruajmë e t’ia japim hapësirën e saj e të mos e cenojmë këtë shtyllë të rëndësishme të demokracisë”, ka deklaruar ajo.
Në kuadër të aktiviteteve u luajtën edhe disa lojë shahu nga persona me të parë të dobësuar. Ndërkaq aktivitete të tjera u zhvilluan edhe në oborr të Kuvendit, ku fëmijë të moshave të ndryshme i informuan se çfarë janë demokracia, qytetaria aktive e media e lirë.