Arbëri

Afro 19 milionë euro, borxhi i komunave veriore për energjinë

11.8 milionët që Qeveria ua mori katër komunave veriore për ta shlyer obligimin financiar ndaj KOSTT-it për rrymën e papaguar për mbi 20 vjet nuk do të jenë të mjaftueshme. Konsumatorët veriorë i detyrohen KOSTT-it edhe 18.9 milionë euro të tjera. Për shlyerjen e borxhit ndërmarrja KOSTT i ka kërkuar Qeverisë që të gjejë zgjidhje. E, Qeveria i ka përmendur si opsion mjetet e Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit të komunave veriore, por një gjë e tillë po vlerësohet e jashtëligjshme pa aprovim të Bashkimit Evropian

Paratë e kursyera nga projektet që s’u kryen në katër komunat veriore me shumicë serbe do të përdoren për shlyerjen e borxhit të rrymës që qytetarët e asaj ane e shpenzuan por s’e paguan. 11.8 milionët e paraparë për asfaltim të rrugëve, rregullim të kanalizimeve, ndërtim të qendrave afariste e kulturore, me vendim të Qeverisë, do t’i barten Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), për ta fshirë vetëm një pjesë të borxhit të akumuluar nga dhjetori i 2022-tës. Por, krahas këtyre mjeteve, konsumatorët e pjesës veriore i detyrohen KOSTT-it edhe 18.9 milionë euro të tjera për pagesën e të cilave Qeveria është e detyruar të gjejë zgjidhje.

Kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, thotë se i kanë kërkuar Ekzekutivit që të gjejë zgjidhje për mbulimin e pjesës së mbetur të borxhit afro 19 milionësh.

“Pjesa e papaguar mbetet 18.9 milionë euro që mbeten obligime të cilat do të duhen prapë të mbulohen nga Qeveria e Kosovës që i takojnë një periudhe të vitit 2023...Mbetet të shihet prej Qeverisë mënyra se si do të mbulohet. Kërkesa është adresuar gjatë vitit 2023”, ka thënë Zeqiri.

Në ditën kur Qeveria mori vendim për shlyerjen e borxhit të rrymës me mjetet e komunave të veriut të Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për shlyerjen e borxhit ndaj KOSTT-it do të përdoren edhe mjete nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit. Ky fond është krijuar më 2013, si fryt i marrëveshjeve të Brukselit për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe destinimi i tyre është kryesisht për ta mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të banorëve të veriut.

Për shfrytëzimin e këtyre mjeteve për çështje të tjera si ajo e pagesës së rrymës është kritik ish-ministri i Financave Haki Shatri, i cili e vlerëson edhe si veprim të kundërligjshëm.

“Është në kundërshtim me Ligjin për financat publike, është në kundërshtim me vetë destinimin e këtyre mjeteve. Nuk janë duke shkuar në zhvillim këto. Janë duke shkuar në konsum. Shpenzim i kotë. Harxhim i parave pa asnjë grimë racionalitet”, është shprehur ai.

Fondi zhvillimor ka një bord të përbërë nga përfaqësues të BE-së, Ministrisë së Financave e të komunitetit serb të komunave në veri. As Ministria e Financave e as Zyra e Kryeministrit nuk janë deklaruar nëse kanë dakoordim paraprak brenda bordit për përdorimin e këtyre mjeteve për këtë qëllim. Njësoj përgjigje s’ka dhënë as Bashkimi Evropian prej disa ditësh.

Njohësi i rrethanave politike, Seb Bytyçi, thotë se për ndryshimin e destinimit të këtyre mjeteve duhet të ketë aprovim nga BE-ja.

“Nuk ka ndonjë ndalesë për shembull për pagesën e borxhit, por procedurat si funksionojnë janë që duhet të ketë pajtim mes përfaqësuesit e BE-së, për çfarëdo aprovimi të projekteve sepse fondi udhëhiqet nga përfaqësuesi i BE-së dhe gjithashtu projektet propozohen nga katër komunat veriore”, është shprehur ai.

Ky fond financohet nga të hyrat doganore të mbledhura në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe mjetet parashihen të përdoren për projekte në fushën e infrastrukturës, shërbimeve sociale, ngritjen e kapaciteteve institucionale, kulturës, sportit dhe bujqësisë. Në Qeveri nuk kanë dhënë shifra se sa është shuma e mjeteve të grumbulluara në këtë fond.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në një raport të performancës të prezantuar më 2020, kishte kritikuar menaxhimin dhe kontrollin financiar gjatë zbatimit të projekteve të financuara nga ky fond.