Arbëri

Komunat serbe në sinkron për seancat inauguruese të kuvendeve

Krahas komunave të veriut, ku do të rivendosen udhëheqës serbë, edhe në të tjera që popullohen kryesisht nga ky komunitet, seancat inauguruese të kuvendeve komunale do të mbahen në ditë dhe në orë të njëjtë. Ato është planifikuar që të mbahen më 5 dhjetor, duke nisur nga ora 11:00

Në ditën dhe në orën e njëjtë, komunat në të cilat ka fituar Lista Serbe kanë planifikuar që t’i mbajnë mbledhjet inauguruese, e në të cilat pritet që ta bëjnë betimin kryetarët e rinj. Asamblistë të zgjedhur nga Mitrovica e Veriut, Zveçani, Graçanica dhe Shtërpca kanë konfirmuar se në orën 11:00 të datës 5 dhjetor do të japin betimin në asambletë komunale.

KOHA ka raportuar të enjten se si për katër komunat në veri, Lista Serbe fillimisht ka përcjellë ftesa pa simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, porse pas refuzimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ato janë ndryshuar.

Sipas rendit të ditës së mbledhjes inauguruese, seanca do të nisë me betimin e anëtarëve të kuvendeve komunale dhe më pastaj edhe të kryetarëve të zgjedhur. 

Leutrim Ajeti, i cili është asamblist i zgjedhur në Komunën e Graçanicës, ka thënë se në kuvendin komunal përfaqësimi i shqiptarëve është rritur nga një në katër anëtarë. Ai ka shprehur pritjen që të kenë bashkëpunim me përfaqësuesit e subjekteve të tjera, në komunën që do të drejtohet nga Lista Serbe, parti kjo që i përfaqëson serbët e Kosovës dhe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Unë pres një bashkëpunim në të mirë të qytetarëve, ashtu siç ka qenë këta katër vjetët e fundit të këtij mandati, sepse mbi të gjitha ne kemi parasysh që duhet të jemi bashkëpunues për interesa të qytetarëve, për investimet në infrastrukturë dhe të gjitha që kemi përmendur në interes të qytetarëve të Komunës së Graçanicës”, ka thënë ai.

Bashkëpunim mes shqiptarëve dhe serbëve në të mirë të qytetarëve pret edhe asamblisti i zgjedhur në Komunën e Shtërpcës, Bekim Avdiu.

“Nga mbledhja e datës 5.12.2025 pres një fillim të qetë dhe konstruktiv të punës së Asamblesë. Pres bashkëpunim të ndërsjellë mes të gjithë përfaqësuesve, shqiptarë dhe serbë, sepse çështjet e komunës janë të përbashkëta. Si asamblist i pavarur, synimi im është që vendimet të merren me transparencë dhe në interes të çdo qytetari të Shtërpcës, pa dallime”, ka deklaruar Avdiu, në një deklarim të shkurtër me shkrim për KOHËN.

Përveç në komunat me shumicë serbe, edhe në të tjerat është planifikuar që gjatë javës së parë të muajit dhjetor të organizohen seancat inauguruese.

Më 5 dhjetor, mbledhjet do t’i mbajnë edhe Komuna e Lipjanit dhe ajo e Shtimes. Kurse betimi i këshilltarëve komunalë dhe i kryetarëve të zgjedhur në Podujevë do të bëhet më 1 dhjetor, në Ferizaj më 3 dhjetor, në Rahovec më 8 ndërsa në Pejë dhe në Drenas do të bëhet më 10 dhjetor.

Pas tre vjetësh bojkot të institucioneve të Kosovës, Lista Serbe është rikthyer në pushtet në katër komunat veriore me shumicë serbe. Ky zhvillim vjen pas një periudhe të tensionuar politike në veri të vendit, ku për herë të parë që nga themelimi i Listës Serbe, këto komuna për dy vjet e gjysmë janë drejtuar nga kryetarë shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e bojkotuara nga komuniteti serb.

Lista Serbe është themeluar në vitin 2013, si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që parashikonte integrimin e strukturave paralele serbe në institucionet kosovare. Mbështetur fuqimisht nga Beogradi, ajo është konceptuar si instrument politik përfaqësues i vetëm i komunitetit serb në Kosovë. Në zgjedhjet e para lokale të organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në nëntor të 2013-s, ky subjekt ka marrë pjesë pas thirrjeve direkte të qeverisë në Serbi dhe ka fituar shumicën e komunave me popullsi serbe.

Që nga ajo kohë, ky subjekt ka interpretuar politikat dhe qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës, shpesh duke refuzuar elemente të sovranitetit të shtetit kosovar, si betimi me simbolet e Kosovës apo zbatimi i plotë i ligjeve vendore. Mospërputhjet ligjore dhe tensionet politike e kanë shoqëruar vazhdimisht funksionimin e saj, ndërsa shumica e vendimeve komunale janë marrë duke ndjekur linjën politike të Beogradit.

Përmes dy palë zgjedhjeve lokale të njëpasnjëshme – më 2013 dhe më 2017 – si dhe tri palë zgjedhjeve parlamentare në vitet 2014, 2017 dhe 2019, Lista Serbe e ka konsoliduar fuqinë e saj dhe ka shkaktuar ndryshime të thella në skenën politike të serbëve të Kosovës. Partitë e tjera ose i janë bashkuar Listës Serbe, ose janë margjinalizuar nëpërmjet presioneve dhe shantazheve.

Rikthimi i Listës Serbe në komunat veriore të Kosovës ka ngritur dilema për mënyrën se si do të realizohet tranzicioni i pushtetit nga kryetarët shqiptarë tek ata të zgjedhur nga kjo parti.

Kryetarë aktualë të këtyre komunave para disa ditësh kanë përmendur dokumentet zyrtare dhe vendimet administrative të marra gjatë dy vjetëve të fundit nga administratat shqiptare, për të cilat kanë shprehur drojë se mund të keqpërdoren. Ata kanë thënë se janë në pritje të udhëzimeve nga qeveria se si të veprojnë me dokumentacionin e ndjeshëm komunal para se t’ua dorëzojnë detyrën pasuesve nga Lista Serbe.