Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka kërkuar nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) të ankohet në shkallë të dytë për vendimin e Gjykatës Komerciale, e cila në shkallë të parë ka aprovuar padinë e kompanive “MADE GROUP CONSTRUCTION SHPK”, “ARKOS SHPK” dhe “MADEKOS SHPK” për ndërtimin e një kompleksi afaristobanesor në zonën e “Lakrishtës”.
Komuna e cilëson si proces të paligjshëm vendimin për ndërtimin në pronë publike dhe thotë se është angazhuar që kjo çështje të kthehet në pikën zero që kur ka nisur.
“Kryeqyteti mbetet i palëkundur në qëndrimin se prona publike duhet të jetë pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm urban, por gjithmonë përmes procedurave të rregullta ligjore dhe ekskluzivisht në shërbim të interesit publik. Kurrë nuk do të lejojmë që prona publike të keqpërdoret për përfitime të grupeve të interesit të lidhura me qarqe politike, në dëm të qytetarëve të Prishtinës”, thuhet në reagimin e Komunës.
Vendimin e Komerciales e kundërshtoi të martën edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në një konferencë për media, ata thanë se 17 mijë metra katrorë pronë të Komunës së Prishtinës po tregtohen me pazare të ndyra.
LVV-ja në Prishtinë pati ngritur padi në tetor 2022 për anulimin e kontratës dhe kërkoi masa sigurie, duke akuzuar NPB-në dhe kompanitë për shkelje dhe keqpërdorime serioze në një projekt me vlerë mbi 120 milionë euro.