Arbëri

Komuna e Shtimes vonohet t’i furnizojë institucionet me lëndë djegëse për dimër

Komuna e Shtimes

Komuna e Shtimes është vonuar t’i furnizojë institucionet publike me lëngë djegëse për ngrohje gjatë dimrit.

Me gjendje më të rëndë po përballet Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e cila ende nuk është furnizuar me pelet shkaku i zvarritjes së procedurave tenderuese nga Komuna.

Qytetarët dhe opozita në këtë qytet janë ankuar se pacientët që marrin infuzione për disa orë, shpeshherë po obligohen të marrin batanije shkaku i mungesës së ngrohjes. Ndërkohë në Komunën e Shtimes kanë thënë se janë duke e shfrytëzuar sasinë e lëndëve djegëse që ka mbetur nga viti i kaluar për t’i ngrohur objektet publike.

Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime nëpërmjet një reagimi ka thënë se ekzekutivi komunal ka dështuar ta menaxhojë paranë publike duke u vonuar në procedura për furnizim të institucioneve me lëndë djegëse. Sipas tij, është shqetësuese se shumë objekte publike kanë mbetur pa ngrohje.

“Institucionet e Shtimes vazhdojnë të mbesin ende pa furnizim me lëndë djegëse. Kemi pranuar ankesa nga banorët se në QKMF ata që marrin infuzione duhet të kenë batanije me vete, sepse objekti nuk është i ngrohur sa duhet dhe mungon ngrohja konstante. Pra, Komuna nuk ka arritur që njëmbëdhjetë (11) institucione edukativo-arsimore t’i furnizojë me lëndë djegëse, Shtëpinë e Kulturës, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Vezir Bajrami”, Palestrën e Sporteve, Njësinë e Zjarrfikësve”, ka thënë Jakupi.

Sipas tij, Komuna duhet të angazhohet në përshpejtimin e procedurave për t’i furnizuar institucionet publike me dru dhe pelet.

“Përveç vonesave në procedura, Komuna ka kontraktuar operatorë të shtrenjtë për një metër kub me dru duke marrë përbazë çmimet e tregut. Prandaj është shqetësuese nëse edhe në këtë tender ka pasur kurdisje. Sidoqoftë, me datë 15 fillon zyrtarisht sezoni i ngrohjes, ndërsa Komuna e Shtimes ende nuk ka arritur t’i furnizojë këto institucione edukative-arsimore që ngrohen me masë drunore dhe disa të tjera me pelet. Ndërkaq, sipas njoftimit zyrtar të Prokurimit Publik, procedurat për furnizim me dru dhe lëndë djegëse kanë filluar me datë 11.10.2022”, ka thënë Jakupi.

Arben Ademi, qytetar nga Shtimja, ka thënë se është shqetësuese se objektet shkollore dhe institucionet tjera publike mos të kenë dru për ngrohje.

“E dimë se ka rritje të çmimeve të druve dhe të produkteve të tjera, mirëpo Komuna është dashur me kohë të përgatitet për t’i furnizuar institucionet me dru. Është shqetësuese që sidomos institucionet shëndetësore dhe ato arsimore mos të furnizohen me lëndë djegëse deri në këtë kohë, prandaj kërkojmë që të paktën fëmijët mos t’i lëmë të kenë të ftohtë nëpër shkolla”, ka thënë Ademi

Edhe institucioni i Zjarrfikësve në këtë Komunë ka mbetur pa ngrohje shkaku i mosfurnizimit me pelet.

Bajram Gashi, komandant i njësisë së zjarrfikësve në këtë komunë ka thënë se ende nuk kanë përfunduar procedurat shkaku i ndryshimeve të çmimeve, andaj objekti i tyre aktualisht po ngrohet me rrymë duke bërë improvizime.

“Ne sikurse institucionet tjera i kemi bërë kërkesat tona me kohë për furnizim me lëndë djegëse, mirëpo kanë ndodhur disa vonesa shkaku i ndryshimit të çmimeve të produkteve. Kemi marrë informacione nga komuna se shumë shpejt do të furnizohemi. Aktualisht po ngrohemi me nxemje me rrymë derisa komuna ta sjellë peletin për ngrohje qendrore”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër Anita Kurti zyrtare për informim në Komunën e Shtimes përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se meqenëse është paralajmëruar se dimri i këtij viti do të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, përgatitjet për stinën e dimrit në institucionet edukativo-arsimore të Komunës së Shtimes kanë filluar me kohë.

“Siç dihet mirëfilli, shkollat tona burim kryesor për ngrohje kanë lëndë djegëse - drurin dhe peletin - për të cilat njësitë buxhetore, gjegjësisht shkollat kanë bërë me kohë zotimin e mjeteve financiare, mirëpo gjatë fazës së zhvillimit të procedurave të prokurimit ka pasur inflacion të madh, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e çmimeve të larta të lëndëve djegëse. Për këtë çështje janë shkaktuar vonesa për sigurimin e druve dhe peletit”, ka thënë Kurti.

Sipas saj, tashmë ka nisur furnizimi me dru i institucioneve arsimore dhe institucioneve tjera me lëndë djegëse.

“Me këtë rast, një metër kub dru është kontraktuar 63.40 euro. Ndërkaq, sa i përket peletit për shkak të çmimeve të larta ende janë duke vazhduar procedurat e prokurimit dhe këto ditë pritet kontraktimi i operatorit ekonomik, mirëpo falë rezervave që kemi nga viti i kaluar asnjë institucion nuk ka mbetur pa lëndë djegëse”,ka thënë Kurti.