Arbëri

Komuna e Shtimes me fushatë kundër kancerit të gjirit

Komuna e Shtimes ka realizuar një aktivitet për ta shënuar muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Në këtë aktivitet një pjesë e stafit të QKMF-së kanë shpërndarë edhe broshura për gratë e kësaj komune në sheshin “Ahmet Shtimja”.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës Naim Ismajli i cili tha se tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

“Gjatë ditës së sotme, bashkë me drejtoreshën e QKMF-së, Arbëresha Syla dhe personelin shëndetësor kemi hapur fushatën kundër kancerit të gjirit. Siç dihet, ky muaj i dedikohet luftës ndaj kësaj sëmundje, andaj ju bëjë apel të gjitha grave dhe vajzave të mos e neglizhojnë shëndetin e tyre dhe të kryejnë me kohë ekzaminimet ndaj kancerit të gjirit”, ka thënë Ismajli, duke shtuar se pandemia ka pasur efekt negativ edhe në këtë drejtim meqë ka krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos tek gratë.

Ndërkaq, drejtoresha e QKMF-së duke e ditur rëndësinë e diagnostikimit të hershëm Arbëresha Syla, ka kërkuar nga gratë që të bëjnë kontrolle së paku një herë brenda tre vjetëve duke filluar që nga mosha 20 vjeçare.

“Mamografia kap kancerin e gjirit në fazën shumë të hershme, andaj nëse bëhen kontrollet e vazhdueshme atëherë nuk do të ketë probleme, prandaj rekomandohet që pas moshës 50 vjeçare duhet të bëhen kontrollet së paku çdo dy vjet. Ajo që është me rënësi se ne si QKMF vazhdimisht jemi afër pacientëve për t’i ofruar mbështetje dhe ndihmë në çdo kohë”, ka thënë midis të tjerash Syla.