Rindërtimi i hekurudhës në mes të qytetit të Lipjanit ka vështirësuar qarkullimin e banorëve, madje shpeshherë ata po përballen edhe me lëndime.
Së fundmi, nëpërmjet një peticioni me mbi 100 nënshkrime, kanë kërkuar ndërtimin e një nënkalimi për këmbësorë ashtu siç ishte planifikuar dhe prezantuar nga “Infrakosi”.
Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, ka thënë se “Infrakosi” përveçse nuk e ka ndërtuar nënkalimin në qendër të Lipjanit, ky institucion ka dëmtuar edhe rrugën në drejtim të fshatit Rubovc me mjete transportuese.
“Është tepër e domosdoshme një nënkalim, ne kemi kërkuar me shkrim jo një herë por disa herë dhe peticionin e fundit të qytetarëve të asaj lagjeje e kemi adresuar me një shkresë përcjellëse nga zyra e kryetarit persëri në Infrakos. Në fakt kemi marrë premtime nga Infrakosi se gjithsesi do ta inkorporojnë në projektin e tyre një nënkalim ku kanë filluar punimet. Ne kemi dalë në terren bashkë me përgjegjësit e Infrakosit dhe mund të gjenden shënimet nëpër rrjete sociale, megjithatë ata nuk iu kanë përmbajtur kësaj marrëveshje”, tha Ahmeti.
Ramiz Qeriqi, njëri nga iniciatorët e peticionit, ka kërkuar nga “Infrakosi” që ta ndërtojë nënkalimin ashtu siç kanë premtuar dy vjet më parë.
“Në ndonjë shtet tjetër së pari e bëjnë zgjidhjen për kalimtarë e pastaj fillojnë të punojnë, ndërkaq këtu kanë punuar dhe nuk iu intereson fare për neve. Janë disa persona që janë lënduar dhe kanë shkuar te mjeku”, tha Qeriqi.
“Banorët e moshuar e sidomos fëmijët e vegjël, të cilët shkojnë në shkollë kanë probleme më të mëdha. Është problem, sepse para pak dite janë rrëzuar disa kolegë të moshës së vjetër”, tha banori Ramush Asllani.
“Ne si banorë të kësaj lagjeje përmes një peticioni i kemi ngritur shqetësimet tona ku shumica e banorëve të kësaj lagjeje e kanë nënshkruar peticionin dhe ia kemi adresuar Komunës dhe institucioneve tjera përkatëse si Infrakosi në mënyrë që të rregullohet një herë e mirë kjo çështje. Në kuadër të saj kemi kërkuar të bëhet zgjidhja për një nënkalim ose mbikalim”, tha banori Florent Hoxha.
“Infrakosi” prej disa ditësh nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me këtë çështje.