Arbëri

Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona

komuna e prishtines

Foto: Driton Paçarada

Komuna e Prishtinës në seancën  e jashtëzakonshme të mbajtur sot ka vendosur për dhënien në shfrytëzim të 5288 pronave publike.

Asamblistja Jeta Rafuna ka thënë se kjo është çështje me rëndësi për menaxhimin e pronës publike dhe për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.

Ajo ka  shtuar se dhënia në shfrytëzim të këtyre pronave, krijon hapësirë për rritjen e të hyrave vetanake të komunës.

Asamblisti i PDK-së, Leotrim Retkoceri ka thënë se shpreson që lista e pronave t’i përmbajë të gjitha elementet që kërkohen me ligj.

Besa Shahini nga PSD-ja ka thënë se ka keqmenaxhim të përmasave të mëdha të pronës publike në Prishtinë. Ka thënë se dëmi që i është shkaktuar komunës është mbi 200 mijë euro.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla ka thënë se nëse nuk miratohet kjo listë, i bie që komuna e Prishtinës vitin e ardhshëm nuk mund ta jep asnjë pronë në shfrytëzim.

Sipas tij, me sjell një listë me mbi 5288 prona në një seancë të jashtëzakonshme dhe të kërkojë nga asambleja të votojë pa plotësim të dokumentacionit, nuk është  në rregull.

Ka thënë se asamblistët nuk janë makineri votash që të votojnë prona që nuk e dinë kush i zotëron, e as kush i shfrytëzon.

“Kjo mund të shërbejë për shumë veprime të tjera të jashtëligjshme. Mund të ketë qytetarë që kanë ndërtu dhe është një lloj shantazhi kundër tyre. unë kërkoj që dokumentacioni të plotësohet sot dhe lista të miratohet”, ka thënë  ai. “Në këtë listë janë 17 parcela në të cilat është ndërtu një lagje luksoze, lagjja ‘Marigona’, sponsorëve të Ramës. Kjo është tentativë që të legjitimohet keqpërdorimi i pronës publike”, ka thënë ai.