Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Obiliqit: Ndotja e ajrit ka dalë jashtë përmasave normale

Ndotja e ajrit

Komuna e Obiliqit është ankuar se ndotja e ajrit dhe e mjedisit është shndërruar në mesin e faktorëve kryesorë të shkurtimit të jetës të banorëve, duke thënë se shumë qytetarë po përballen me probleme shëndetësore.

Komuna ka shkruar të enjten në Facebook se ndotja e ajrit ka dalë jashtë përmasave normale, duke akuzuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) se s’ka ndërmarrë asgjë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Që nga data 20.08.2024 deri më datën 15.09.2024, filtrat brenda Kosovës B kanë qenë jashtë funksionit dhe gjendja në Termocentralin ‘Kosova B’ ka pasur tejkalime enorme, për çka ka pasur raportime në media e rrjetet sociale. Nga deklarimet e qytetarëve gjatë këtyre ditëve, ajri në Obiliq ka arritur nivele shumë të larta të ndotjes. Po ashtu, pranë këtij termocentrali ishte krijuar zhurmë e cila është e padurueshme për banorët, kryesisht në orët e mbrëmjes. Gjatë tërë kësaj periudhe kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga Korporata Energjetike e Kosovës të ofrojë të dhëna (raportojë) për gjendjen. Kemi kërkuar një raport të detajuar për TC A dhe TC B për datat e lartpërmendura, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Edhe sot kemi pasur një situatë të ngjashme në qytetin e Obiliqit, ku ndotja e ajrit ka qenë jashtë të gjitha përmasave normale”, thuhet në reagim.

Tutje, Komuna e Obiliqit ka shtuar se në dy vitet e fundit s'është realizuar asnjë projekt i dedikuar për uljen e ndotjes së ajrit. Në reagim u tha se çdo vit, regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja të sëmundjeve kancerogjene, e në periudhën janar-shtator të 2024-s janë realizuar 876 vizita shtëpiake te personat me sëmundje kancerogjene.