Arbëri

Komuna e Lipjanit nis procedurat për riparimin e gropave

Gjatë ditëve të fundit disa nga banorët në rrugën “Tahir Sinani” afër Emergjencës në Lipjan po ankohen se prej më shumë se një muaj janë realizuar disa punime në rrugë ndërkohë dëmtimi i asfaltit nuk është riparuar ende.

Ata po kërkojnë nga institucionet komunale që sa më shpejtë të marrin masa rreth kësaj çështje derisa gropat po ua vështirësojnë qarkullimin e automjeteve.

Në anën tjetër, në Komunën e Lipjanit kanë njoftuar se me përmirësimin e kushteve atmosferike do të riparohen të gjtiha gropat edhe në pjesë të tjera të qytetit dhe nëpër fshatra.

Imer Rrustemi, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Lipjanit, ka sqaruar se për shkak të temperaturave të ulëta nuk kanë mundur t’i riparojnë me asfalt disa gropa, por një gjë e tillë do të ndodh shumë shpejt pas përmirësimit të motit.

“Jemi në dijeni për secilën rrugë që ka nevojë për riparim sepse ekipet tona bëjnë inspektime të vazhdueshme në terren, prandaj të gjitha gropat do të përmirësohen dhe nuk do të ketë shqetësime për qytetarët”, ka thënë Rrustemi, duke kërkuar bashkëpunim edhe me qytetarët për t’i identifikuar të gjitha rrugët e dëmtuara”, ka thënë Rrustemi.

Ndërkaq, një nga qytetarët e kësaj lagjeje i cili ka dërguar video dhe foto në redaksi lidhur me dëmtimin e gropave në këtë lagje, ka dashur të mbetet anonim.

“Së pari dua të mbetem anonim sepse mund të kem sulme verbale apo komente në të ardhmen, megjithëse është e drejtë e imja të ankohem sepse sa herë që kalojmë me vetura nëpër lagje po paraqiten telashe shkaku i rrugës me gropa. Po bëhen afër një muaj e gjysmë dhe këto gropa nuk janë riparuar”, është ankuar ky banor.