Komuna e Lipjanit ka përfituar grandin e Përformancës për “Mjedis të pastër” në vlerë prej 152 mijë e 568 eurosh. Kjo mbështetje i është bërë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, nga indikatorët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ahmeti ka thënë se pas përfundimit të procesit të vlerësimit të komunave në Republikën e Kosovës për Grantin e Përformancës “Mjedisi i Pastër”, Komuna e Lipjanit është kualifikuar si komunë fituese dhe ka përfituar grant me vlerë prej 152,568.00 euro.
“Ky grand është përfituar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me GIZ-in, nga indikatorët e MAPL-së. Uroj qytetarët për këtë përformancë, kjo është arritur si rezultat i punës dhe angazhimit i përbashkët me ju”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkaq në anën tjetër qytetarët e Lipjanit kanë kërkuar që këto mjete të investohen në vazhdim të projekteve për rekreacion dhe në mirëmbajtje të shesheve apo hapësirave gjelbëruese.
“Derisa komuna përfiton grande të tilla për ambientin e pastër atëherë është motiv edhe për qytetarët që ta mbajnë sa më të pastër qytetin dhe mos të hedhin mbeturina vend e pa vend. Megjithatë në qytetin e Lipjanit janë të pakta ato lokacione ku krijohen “deponi” të vogla të mbeturinave sepse gradualisht edhe qytetarët janë vetëdijesuar. Por këtu e kemi një telashe që kontejnerët nëntokësor nuk po funksionojnë andaj ndoshta do të ishte mirë që në të ardhmen të rregullohet edhe kjo çështje”, ka thënë Lulëzim Zejnullahu nga Lipjani.