Arbëri

Komuna e Kaçanikut tejkaloi buxhetin e planifikuar për dy kontrata në vlerë afro 154 mijë euro

Komuna e Kacanikut

Komuna e Kaçanikut gjatë vitit të kaluar kishte qenë dorëlirë për shpenzimin e parasë publike, derisa në disa raste, kishte tejkaluar vlerën e planifikuar të buxhetit për projekte të ndryshme kapitale.

Kjo komunë në dy kontrata publike kornizë të lidhura me çmim për njësi kishte bërë tejkalimin e tyre në vlerë prej 153 mijë e 195 eurosh, ndërkaq në katër raste të tjera kishte lëshuar dokumentacionin e tenderit pa e hartuar fare projektin ekzekutues. Rreth kësaj çështje Auditori i përgjithshëm në raportin e fundit për pasqyrat financiare të kësaj komune për vitin 2021, ka gjetur një varg shkeljesh e keqklasifikimesh.

Sipas këtij raporti Komuna e Kaçanikut nuk kishte arritur të bëjë inspektimin apo verifikimin e 20 për qind të pronave publike, ndërkohë kishte bërë keqklasifikim të shpenzimeve nëpër kategori ekonomike në vlerë prej 104 mijë e 879 eurosh.

“Te dy kontratat publike kornizë të lidhura me çmim për njësi kemi identifikuar, se pagesat totale për projektet kanë tejkalim të vlerës së kontraktuar. Tejkalimet janë vërejtur te kontrata “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve lokale” e lidhur me 15.11.2019, në vlerë 450,000€, tejkalimi ishte në vlerë 134,930€, dhe te kontrata ”Rregullimi dhe mirëmbajtja e sinjalizimit vertikal dhe horizontal” e lidhur me 21.11.2019, në vlerë 70,000€, tejkalim ishte në vlerë prej 18,265€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tejkalimi i kontratave kishte ndodhur për shkak se zyra e prokurimit me rastin e hartimit të kontratave gabimisht e kishte paraparë në kontratë aplikimin e pragut apo tavanit (plus/minus tridhjetë për qind).

“Ndikimi Tejkalimi i vlerës së kontraktuar nuk është në pajtim me kriteret e përcaktuara për kontratat me çmime për njësi, si dhe rezulton me pagesa përtej buxhetit të planifikuar për ato projekte dhe mund të ndikon në realizmin e projekteve tjera të planifikuara. Ndërkaq, Gjatë auditimit, ne kemi vërejtur edhe fusha ku nevojiten përmirësime të mundshme, rreth menaxhimit financiar dhe kontrollit”, thuhet në raport. Dobësi evidente janë vërejtur në fusha të rëndësishme financiare si: Tejkalim i kontratave publike kornizë, mungesë e projekteve ekzekutive, prezantim jo i drejtë i detyrimeve kontingjente, keqklasifikim i shpenzimeve, dobësi në regjistrimin e pasurive etj. Po ashtu, sipas Auditorit procesi i raportimit në komunë është përcjellë me mangësi, kjo sipas raportimit të auditorit është vërejtur sidomos me rastin e përgatitjes së Raportit Vjetor Financiar (RVF). “RVF i Komunës i përgatitur me datë 31.01.2022 për vitin e përfunduar me 31.12.2021, nuk ishte në pajtim me Rregullën Financiare nr. 01/2017. Raporti ishte jo i saktë. Pas sugjerimeve nga auditimi, RVF është korrigjuar dhe dorëzuar në ZKA dhe çështjet e ngritura nga ne janë korrigjuar”, thuhet mëtej në raport.

Sipas Auditorit kjo Komunë kishte bërë keqklasifikim të shpenzimeve nëpër kategori ekonomike në vlerë 104 mijë e 879 euro, derisa nga kategoria investimet kapitale janë paguar 87,562 euro, për mirëmbajtjen teknike të objekteve komunale dhe riparimin e objekteve shkollore, të cilat sipas udhëzimit konsiderohen mallra dhe shërbime, pastaj nga kategoria mallra dhe shërbime vlera prej 15,637 euro ishte paguar nga Thesari sipas vendimit përmbarimor për shpronësimin e tokës, shpenzime këto që i takojnë kategorisë investime kapitale. “Gjetjet dhe rekomandime kanë për qëllim të përmirësojnë informacionin financiar të paraqitur në Raportin Vjetor Financiar, duke përfshirë shpalosjet në formë të shënimeve shpjeguese dhe të përmirësojnë kontrollet e brendshme lidhur me raportimin financiar dhe pajtueshmërinë me autoritetet në lidhje me menaxhimin e fondeve të sektorit publik. Ne do t'i përcjellim (shqyrtojmë) këto rekomandime gjatë auditimit të vitit të ardhshëm. Ky raport ka rezultuar me shtatë (7) rekomandime, prej tyre katër (4) janë rekomandime të reja, një (1) i përsëritur dhe dy (2) tjera pjesërisht të përsëritura’, thuhet më tej në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Në anën tjetër Koha ka provuar tentoi të kontaktonte me kryetarin e Kaçanikut, Besim Ilazin, por ai nuk ka qenë i qasshëm. Ndërkaq, Ilazi nëpërmjet një shkrese dërguar Auditorit të Përgjithshëm, në disa raste nuk është pajtuar me të gjeturat dhe rekomandimet e tyre.

“Kam pranuar draft raportin e zyrës Kombëtare të Auditimit për auditivin e pasqyrave financiare të Komunës së Kaçanikut për vitin 2021. Nuk pajtohem me disa nga gjetjet dhe rekomandimet dhe kam dërguar komentet për përmbajtjen e raportit si dhe brenda 30 ditëve nga pranimi i Raportit final do t’iu dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për zbatimin e tyre”, thuhet në shkresën publike të kryetarit Ilazi.