Komuna e Ferizajt me buxhet vetjak, në shumën mbi 200 mijë euro, ka përuruar objektin e ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Dardani. Në këtë objekt parashihet të marrin shërbime mjekësore mbi 10 mijë banorë të fshatrave Dardani, Zllatar, Mirosalë dhe disa fshatra përreth. Përveç mjekut familjar dhe stafit tjetër përcjellës, në këtë qendër do të ofrohen edhe shërbimet stomatologjike e laboratorike. Po ashtu ky institucion shëndetësor ka edhe barnatoren, e cila është e furnizuar mjaftë mirë me barna esenciale.
Kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, midis të tjerash ka thënë se po ofrojnë shërbime mjekësore sa më afër për të gjithë qytetarët e kësaj komune. Sipas tij, Komuna do të vazhdojë edhe në të ardhmen në realizimin e projekteve të tilla në të mirën e qytetarëve të komunës së Ferizajt.
Ndërkaq, drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Ademi, ka thënë se është ndërtuar një objekt me hapësira të gjera, me kushte e standarde të avancuara për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Sipas tij, kjo qendër do të absorbojë një numër të madh të nevojave për trajtim shëndetësor të banorëve nga fshatrat Dardani, Zllatar, Mirosalë, Sojevë e të tjera të afërta.
Ndërkaq, Xhevat Sallahu, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh përfaqësues i fshatit Zllatar, disa herë e ka ngritur kërkesën e banorëve për ndërtimin e këtij objekti. Sipas tij, ish qeverisja e kaluar ka ndërtuar objekte të tilla për banorët që e kanë 2 kilometra qytetin e Ferizajt, ndërkohë ka diskriminuar banorët që jetojnë 20 kilometra larg qytetit. “Dhjetëra herë kemi kërkuar së bashku me banorët që kjo QMF të ndërtohet në Dardani, sepse banorët e këtyre lokaliteteve e kanë shumë larg qytetin deri në 20 kilometra. Ndërkaq, ish qeverisja e kaluar e LDK-së e pati nisur një objekt të tillë në fshatin Zaskok duke diskriminuar 10 mijë banorë të fshatrave Zllatar, Dardani, Mirosal etj”, ka thënë Sallahu.
{gallery}