Dëmtimet që kanë pësuar komplekset dhe varrezat e dëshmorëve në Komunën e Ferizajt kanë nxitur reagime tek asamblistët.
Qytetarët që i vizitojnë ato janë të rrezikuar nga sistemi i energjisë elektrike pasi që kabllot nuk janë të izoluara e shumë llamba elektrike janë të dëmtuara. Opozita në këtë komunë ka kërkuar nga qeverisja lokale ta vërë në prioritet mirëmbajtjen e varrezave dhe shtatoreve të dëshmorëve.
“Gjendja e varrezave të dëshmorëve në Ferizaj është për të ardhur keq, sepse mirëmbajtja, renovimi i lapidarëve dhe i varrezave do të duhej të ishte minimumi që ne do të duhej të bënim si shoqëri, sepse dëshmorët kanë dhënë jetën e tyre për lirinë që ne e gëzojmë sot. Pushtetarët tanë lokalë fatkeqësisht e kanë gjuhën plot: ndreqim dhe vlerësojmë për dëshmorët dhe janë të parët që u prijnë qytetarëve nëpër data të caktuara në nderim të tyre, por çuditërisht janë të verbër sa herë që vijnë këtu që ta shohin gjendjen aktuale”, tha Flamur Istrefi, kuvendar i LDK-së në Ferizaj.
“Familjarët detyrohen që shtatorët t’i mirëmbajnë vetë. Unë kam kërkesë që Komuna të angazhojë persona të caktuar për t’i mirëmbajtur shtatoret e dëshmorëve duke e ditur që ata kanë dhënë jetën e tyre për ne, andaj kjo është më e pakta që ne mund të bëjmë për ta”, tha Shqipe Jashari, kuvendare e Vetëvendosjes në Ferizaj.
Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka thënë se Ferizaj është i njohur me më së shumti shtatore dhe lapidarë të dëshmorëve, andaj nganjëherë mund të ngecin në procedura për mirëmbajtjen e tyre.
“Është e vërtetë se ankesat kanë qenë sa i përket mosmirëmbajtjes së monumenteve dhe shtatoreve të dëshmorëve, mirëpo ajo që ka bërë Komuna dhe Drejtoria për Shërbime Publike tashmë ka kontraktuar një kompani e cila do të merrej ekskluzivisht me mirëmbajtjen dhe meremetimin e tyre sipas nevojës. Po shpresojmë që tash e tutje do ta kemi dinjitetshëm një trajtim”, tha Marevci.
Komuna është kritikuar se në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Ferizaj mungojnë edhe shtigjet për qasjen e personave me aftësi të kufizuara.
Kompania “Ambienti” është obliguar nga Komuna t’i pastrojë varrezat e dëshmorëve pas kërkesave të vazhdueshme.