Që nga fillimi i këtij muaji, shërbimet mjekësore në institucione shëndetësore në Ferizaj janë reduktuar. Kjo, për shkak se 325 punonjës shëndetësorë tashmë kanë mbetur pa punë, meqë kanë skaduar kontratat që kishin në bazë të një marrëveshjeje mes Komunës dhe “Caritas Kosova”
Komuna e Ferizajt ka mbetur me 325 punëtorë shëndetësorë më pak. Ky kontigjent ishte i angazhuar përmes një marrëveshjeje mes Komunës dhe “Caritas Kosova”, por kontratat u skaduan dhe komuna nuk ka gjetur mundësi sistemimi e as nuk ua ka paguar shtatë pagat e fundit që ua ka borxh.
Doktori Xhevdet Haxhidemaj, i cili kishte nënshkruar kontratën kolektive për këta punëtorë, tha se nga kjo situatë më së shumti do të pësojnë qytetarët.
“Në momentin kur është shkëputur kontrata dhe këta punëtor kanë shkuar në shtëpi pa diskutim se vërehet një mungesë e madhe e tyre në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Si rrjedhojë e shkëputjes së kontratës në ditët dhe në muajt në vazhdim jemi të detyruar ndoshta t’i reduktojmë ofrimet shëndetësore për shkak të numrit të vogël të punëtorëve shëndetësor”, ka thënë ai.
E një nga punëtorët shëndetësorë që nga ky muaj ka mbetur në shtëpi, kërkoi që komuna të gjejë zgjidhje e edhe ta shlyejë borxhin që ua ka.
“Përveç shërbimeve të rregullta, ne gjatë kohës së pandemisë kemi qenë të rrezikuar e po ashtu atë rrezik e kemi përcjellë edhe në familjet tona. Madje kemi punuar edhe pa paga dhe Komuna vazhdon të jetë e zhytur në borxhe të thella ndaj neve, prandaj është shqetësuese të mbesim pa punë një staf i cili edhe në të ardhmen do të japë kontribut të madh për qytetarët e Komunës së Ferizajt”, ka thënë ai.
E në Komunën e Ferizajt thanë se janë duke bërë përpjekje të gjejnë rrugë ligjore, në mënyrë që ky staf shëndetësor të rikthehet në vendet të punës e edhe që atyre t’u bëhet kompensimi për pagat që nuk i kanë marrë.
“Janë bisedimet e drejtorisë së Shëndetësisë dhe Financave me Caritas Kosovën që të gjejnë një rrugë të përbashkët sa i përket financimit, por ne jemi në bisedime edhe me organizatat tjera humanitare në mënyrë që t’i marrin kontratat e tilla që të angazhojmë sa më shumë staf mjekësor”, ka deklaruar zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci.
Sipas një hulumtimi të fundit të Institutit GAP, Ferizaj është në mesin e nëntë komunave ku relacioni mes kuadrit shëndetësor dhe popullsisë është më i lartë. Këtë hendek e theksuan edhe në komunë, por thanë se janë të kufizuar nga niveli qendror për numrin e stafit shëndetësor që mund ta rekrutojnë.