Arbëri

Komuna e Ferizajt mbyll parkun “Liria” si masë për parandalimin e COVID-19

Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me kompaninë “Pastërtia” dhe Zjarrfikësit kanë filluar pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve në gjithë territorin e Komunës me qëllim të parandalimit të virusit COVID-19.

Një angazhim i tillë do të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, kanë bërë të ditur autoritetet komunale, raporton KOHA.

Ndërkohë Komuna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë marrë masa edhe për mbylljen e parkut “Liria”, i cili gjatë këtyre ditëve është frekuentuar mjaft shumë nga qytetarët.

Në Ferizaj ende nuk është shënuar ndonjë rast pozitiv me koronavirus, derisa qytetarët thonë se kjo fatkeqësi duhet të jetë mësim për të gjithë.

Institucionet lokale në Ferizaj kërkojnë nga qytetarët që të qëndrojnë sa më shumë nëpër shtëpitë e tyre për të parandaluar mundësinë e përhapjes së koronavirusit.