Komuna e Ferizajt, sipas opozitës, në këtë qytet po vazhdon dhënien e lejeve ndërtimore duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, dokument ky i cili nuk përcakton kritere për ndërtime të larta. Edhe niveli qendror pati sugjeruar se asnjë leje nuk mund të lëshohet derisa të përgatiten hartat zonale, por këto rekomandime nuk po përfillen nga kjo komunë
Në mungesë të hartave zonale Komuna e Ferizajt prej kohësh në mënyrë të jashtëligjshme, sipas opozitës në këtë qytet, ka vazhduar me dhënien e lejeve ndërtimore.
Komuna është bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, dokument ky i cili nuk përcakton rregulla dhe kritere për ndërtime.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ua ka kthyer si të kundërligjshme interpretimet e Komunës për dhënien e lejeve ndërtimore, derisa kjo komunë ka ngecur në përgatitjen e hartave zonale.
Një dokument të tillë të ligjshmërisë kjo ministri ua ka kthyer edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosja, të cilët patën kërkuar sqarime.
“Ju njoftojmë se lejet ndërtimore nuk mund të lëshohen duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal sepse, sipas nenit 15 të Ligjit për Planifikim Hapësinor, Plani Zhvillimor Komunal është dokument orientues strategjik, i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim dhe zhvillim”, thuhet në përgjigjen e MMPHI-së.
Enver Haliti, anëtar i Kryesisë së VV-së në Ferizaj, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Komuna e Ferizajt është shembull i degradimit urban.
Të shqetësuar për këtë fenomen janë shprehur edhe në Degën e LDK-së.
“Kjo situatë po i shkon për shtat pushtetit lokal edhe të kaluarit, por edhe këtij të PDK-së, zotëri Aliut, për shkak se gjatë kësaj periudhe janë lëshuar me qindra e qindra leje ndërtimore duke mos përfillur asnjë nga kriteret që kërkohet sipas ligjit dhe dokumenteve të planifikimit”, ka thënë Haliti.
Valon Halimi, anëtar i Kryesisë së LDK-së, thotë se në komunë është shkaktuar kaos i madh urban.
“Komuna e Ferizajt është jashtë secilit ligj dhe secilit kontest në kuptimin e ndërtimit dhe rregullave për të cilat Ministria brenda këtij viti ka dhënë vërejtje që duhet të ndalohen të gjitha lejet e ndërtimit të lartë, për shkak të zhvillimit dhe kaosit të madh që është krijuar nga njerëzit të cilët janë të lidhur kushtimisht me pushtetin, të cilët kanë për qëllim ta përdorin pushtetin dhe ta kthejnë për interesa private dhe të cilin e kanë arritur si qëllim”, është shprehur ai.
Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, ka sqaruar se pse kanë vazhduar me dhënien e këtyre lejeve.
“Kam kërkuar interpretim nga Kuvendi Komunal se a janë në fuqi apo jo planet rregulluese urbane siç ka kërkuar Ministria dhe në interpretimin që kam marrë nga Kuvendi thuhet saktë se të gjitha dokumentet që kanë qenë të miratuara janë shfuqizuar me miratimin e Planit Zhvillimor dhe fatkeqësisht ne duhet të vazhdojmë dhënien e lejeve duke respektuar ligjet e ndërtimit dhe dokumentet e tjera, si udhëzimet administrative që rrjedhin nga ky ligj”, deklaroi Bytyqi.
Ai ka shtuar se Komuna është ende në pritje të pëlqimit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vazhdimin e procedurave për harta zonale.