Arbëri

Komuna e Ferizajt ankohet se disa projekte janë peng “i defekteve në dokumentin e PZHK-së”

Zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, ankohen se po vazhdojnë të përballen me telashe të ndryshme si pasojë e defekteve dhe paqartësive në dokumentin e Planit Zhvillimor Komunal, i cili është hartuar dhe miratuar disa vjet më parë nga ish-pushteti.

Sipas tyre, duke u bazuar në PZHK, qyteti i Ferizajt ishte planifikuar të zgjerohet me ndërtime të larta në disa zona, megjithëse nuk janë marrë për bazë se aty janë rrugët e ngushta, pamundësia e krijimit të rrugëve të reja, mungesa për qasje të zjarrfikësve në rast të zjarreve, mungesa e orientimit të rrjetit të kanalizimit e ujësjellësit dhe një varg projektesh të tjera.

Me këtë dokument, thonë ata, janë planifikuar e specifikuar edhe ndërtime të objekteve publike të panevojshme dhe pa u bërë analiza të duhura nga ekspertët. Ata ngulin këmbë se në këto parcela është shumë e vështirë të realizohen projekte të reja për zhvillimin e qytetit, siç ishin edhe pengesat për ndërtimin e Spitalit Rajonal.

Lulzim Aliu, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt ka thënë për KOHEN se kjo drejtori është duke e modifikuar PZHK-në në bazë të ligjeve në fuqi me qëllim të orientimit për zhvillim të qytetit.

“Telashet më të mëdha po vazhdojmë t’i kemi me dokumentet e planifikimit të cilat nuk janë punuar siç duhet dhe në anën tjetër po mundohemi që karshi punës së vazhdueshme të mos ndalojmë zhvillimin e qytetit. Me telashet e planit Zhvillimor Komunal po përballen edhe drejtoritë e tjera, andaj orientimi i zhvillimit të qytetit me ndërtime të larta është bërë gabimisht për disa pjesë, në të cilat nuk ka infrastrukturë moderne, ndërkaq është planifikuar që për 8 vjet të zgjerohet qyteti për një milion banorë”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, është i vështirë transformimi i qytetit nga ndërtimet e ulëta në ndërtime të larta, ndërkohë sipas dokumenteve dhe ligjeve në fuqi, komuna po obligohet të lëshojë edhe leje ndërtimore.

Aliu thotë se qeverisja po përballet edhe me telashe të tjera derisa ministritë e linjave kanë krijuar koncepte të ndryshme për mos ndryshimin apo plotësimin e këtyre dokumenteve.

“Gjatë një mandati qeverisës është e pamundur që strategjia e zhvillimit komunal të mos ndryshohet, ndërkohë as ministritë nuk po lejojnë plotësimin apo ndryshimin e strategjisë. Ne mendojmë se zhvillimi i qytetit duhet të ndodhë përgjatë rrugëve të zgjeruara, në zona të përshtatshme ku mund të intervenohet më lehtë, aty ku rrugët janë të qëndrueshme dhe që lidhen me regjione të tjera, pastaj aty ku ka mundësi edhe të krijohen rrugë të reja”, ka thënë Aliu.

Ai ka shtuar se me Hartën Zonale, e cila është në finalizim e sipër, komuna është duke bërë plane strategjike për tejkalim të këtyre problemeve.

Ndërkohë, KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga kryetari i degës së LDK-së, në Ferizaj, Muharrem Svarqa, i cili gjatë hartimit të dokumentit të PZHK-së ishte kryetar i komunës, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.