Gjatë periudhës së fundit kohore kompanitë e ndryshme ndërtimore në Lipjan gjatë bartjes së materialeve të ndryshme me automjete transportuese, përveçse po i dëmtojnë rrugët lokale ato shpeshherë po mbulohen edhe me baltë.
Në disa rrugë të qytetit balta po e vështirëson qarkullimin e këmbësorëve por edhe të automjeteve. Së fundi më së shumti po ndoten rrugët përgjatë hekurudhës së qytetit. Rreth kësaj çështje ka reaguar kuvendari nga radhët e AAK-së Ramiz Qeriqi, i cili ka thënë se Inspektorati dhe Policia duhet të jenë më aktiv në monitorim të kompanive të ndryshme ndërtimore të cilat nëpërmjet automjeteve transportuese po i degradojnë dhe po i ndotin rrugët e qytetit.
“Gjatë kohës së fundit qytetarët po ankohen se automjetet transportuese po i ndotin rrugët me baltë. Këto kompani ndërtimore duhet të ndëshkohen duke mos përjashtuar edhe kompanitë të cilat po e ndërtohen hekurudhën e qytetit. Rreth kësaj çështje jemi ankuar disa herë edhe në Kuvend por deri tash nuk e dimë nëse inspektorati apo Policia kanë marrë masa”, ka thënë Qeriqi.
Sipas tij, edhe në mbledhjet e fundit të Kuvendit ka kërkuar sqarime nga ekzekutivi rreth ndërtimit të hekurudhës pasi që qytetarët po ankohen shkaku i baltës në rrugë dhe pengesave të tjera përgjatë hekurudhës.
“Pra, kërkoj nga inspektorati dhe Policia e Kosovës në Lipjan, të angazhohen dhe t’i ndëshkojnë kompanitë të cilat po i ndotin rrugët derisa një gjë e tillë është e sanksionuar me ligj. Kjo duhet të ndodh sepse ankesat e qytetarëve janë më të arsyeshme”, ka shtuar ai.
Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga drejtori i Inspektoratit Imer Rrustemi por nuk ka qen i qasshëm. Ndërkohë burime brenda Policisë në Lipjan, kanë thënë se gjatë kohës së fundit kanë pranuar disa herë kërkesa nga qytetarët pasi që rrugët po ndoten me baltë nga kompanitë ndërtimore.
Rreth kësaj çështje ka reaguar edhe OJQ “YAHR” në Lipjan.
“Kompanitë fituese e tenderit nga Ministria e Infrastrukturës për rregullimin e vijës së hekurudhës Prishtinë-Ferizaj, po e ndotin ambientin dhe rrugët e qytetit të Lipjanit, të cilat janë bërë të rrezikshëm për këmbësorët dhe veturat për shkak të baltës të cilët po e shkaktojnë gjatë lëvizjes të kamionëve nëpër rrugët kryesore të qytetit. YAHR ka pranuar një numër të madh të ankesave nga qytetarët e qytetit të Lipjanit duke iu drejtuar organizatës lidhur me problemin e krijuar nga kompania punë-kryerëse”, thuhet në komunikatën e ‘YAHR’-s.
Kjo OJQ ka ndërkohë ka monitoruar situatën në teren dhe ka konstatuar se është duke ndodhur një gjë e tillë.
“Problemi është se kompania për rregullimin e hekurudhës ka krijuar një deponi për grumbullim dhe shpërndarje të zhavorrit në mes të qytetit, gjegjësisht në pjesën veriore të rrugës ‘Gjergj Kastriot Skenderbeu’. YAHR si zgjidhje të shpejt dhe të menjëhershme është se kjo deponi e zhavorrit duhet të zhvendoset në një vend tjetër jashtë qytetit të Lipjanit, pasi që është duke dëmtuar pamjen e qytetit dhe po ndikon negativisht jo vetëm në ambient, por edhe tek veturat e qytetarëve dhe njëherësh është duke dëmtuar edhe infrastrukturën rrugore duke krijuar baltë në rrugët të cilat po shkaktojnë ndotjen e qytetit dhe me këtë mund të rrezikohen edhe jeta e qytetareve”, thuhet më tej në komunikatë.
Kjo OJQ ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të gjejnë një zgjedhje për zhvendosjen e kësaj deponie pasi që kjo është duke krijuar probleme dhe me këtë është duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve.
{gallery}