Arbëri

Komisioni për ekonomi shqyrton shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, e kundërshton VV-ja

Komisioni për Ekonomi po shqyrton në mbledhjen e së martës mocionin e grupit parlamentar të LDK-së për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Deputetja e kësaj partie, Velentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se kur LDK-ja ka paralajmëruar krizën energjetike, ZRRE-ja nuk e ka marr parasysh.

Ajo ka përmendur vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike, duke thënë se ka pasur shkelje dhe diskriminim të konsumatorëve.

Sipas saj, me vendimin për tarifa të reja janë lënë jashtë komunat veriore duke diskriminuar qytetarët tjerë.

E shefja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kërkesa nuk ka bazë ligjore, pasi që Ligji për ZRRE-në parasheh rastet kur bëhet shkarkimi.

Kusari - Lila ka thënë se kryetari i Bordit të ZRRE-së gjatë raportimit e ka paramenduar që pjesa veriore nuk përfshihet, por ka harruar të përmendë që ajo pjesë nuk faturohet fare.

Ka shtuar se kjo çështje nuk është zgjidhur nga qeveritë e kaluara. Sa i përket mocionit për shkarkim ka thënë se VV-ja nuk e përkrah.

Ajo ka thënë se marrëveshja e arritur sot në Bruksel parasheh që ZRRE-ja duhet të lëshojë licencë furnizimi për operatorin për në veri dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së dëmton procesin.

Shkarkimin e Bordit të ZRRE-së e ka përkrahur edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Arsye për këtë sipas tij është paaftësia për të marr masa për krizën e paralajmëruar energjetike, dhe më pas vendimin për tarifa që ka diskriminuar qytetarët duke lënë jashtë pjesën veriore.