Arbëri

Komisioni Evropian: Është në interes të Kosovës t’i formojë sa më shpejt institucionet

Komisionarja për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Marta Kos

E përditësuar (14:10) - Parlamenti Evropian në seancë plenare të mërkurën me një shumicë prej 353 votave në favor, 145 kundër dhe 78 abstenime ka miratuar rezolutën për Kosovën.

Në prag të votimit që u zhvillua të mërkurën, të martën mbrëma u zhvillua një debat në të cilin përveç deputetëve të Parlamentit Evropian mori pjesë edhe Komisionerja për zgjerim, Marta Kos.

Kos, është shprehur se është në interes të Kosovës që sa më parë t’i formojë institucionet . Këtë Kos e ka thënë të martën mbrëma në një debat në Parlamentin Evropian kushtuar raportit për Kosovën. Raporti, i përgatitur nga raportuesi Riho Terras, u votua sot në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

“Është në interesin e  Kosovës që t’i formojë sa më parë institucionet e saja për t’i quar përpara reformat urgjente evropiane”, ka thënë Kos duke veçuar edhe  nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve që lidhen me Planin për Rritje, i cili, sipas saj, do të duhet të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe Kuvendi i ri. 

“Kjo do të mundësonte lirimin e fondeve nga ky instrument, me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret e tjera”, ka thënë Kos.

Ajo ka përsëritur edhe nevojën që Kosova të përmbushë pa vonesa obligimet e saja nga Marrëveshja e Ohrit në kuadër të dialogut me Serbinë.

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, komisionerja Kos është shprehur se Komisioni është i gatshëm që ta nisë punën për përpilimin e mendimit për kërkesën e Kosovës sapo ta marrë një mandat për një gjë të tillë nga Këshilli i BE-së.

Ndërkaq raporti i Parlamentit Evropian, i cili ishte miratuar më herët nga Komisioni i Politikës së Jashtme, përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe i bën thirrje vendeve anëtare që të nisin punën për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Po ashtu Parlamenti Evropian edhe me këtë raport kërkon nga 5 vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si në raportin për njërin ashtu edhe për tjetrin shtet, Parlamenti Evropian kërkon që të angazhohen sinqerisht për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve “përmes një marrëveshje ligjërisht obliguese të bazuar në njohje të ndërsjellët”.

Parlamenti Evropian ka kërkuar edhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat BE-ja ia kishte vendosur para dy vjetësh. Sipas Parlamentit Evropian më nuk ka arsye për masa të tilla pasi Kosova i ka përmbushur kushtet për heqjen e tyre.

Raportuesi për Kosovën, deputeti nga Estonia, Riho Terras, ka kërkuar gjatë debatit po ashtu heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.     

“Kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që në fillim. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur agjendën evropiane të Kosovës. Kjo është arsyeja pse duhet t’i heqim masat dhe t’i mundësojmë Kosovës të avancojë duke përdorur fondet të cilat i ofrojmë”, ka thënë ai.

Në raport shprehet po ashtu edhe shqetësim për situatën e sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc. Përsëritet kërkesa ndaj Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve në Banjskë, përfshirë udhëheqësin e tyre Milan Radoiçiq.

Raporti për Serbinë i përgatitur nga deputeti kroat Tonino Piculla, kritikoi Serbinë ashpër për shkak të raporteve me Rusinë dhe për përpjekjet për t’i destabilizuar shtetet fqinje. Parlamenti po ashtu kritikon edhe “politikën përkëdhelëse” të Komisionit Evropian ndaj Serbisë dhe e fton Komisionin që për Serbinë “të flet me një gjuhë të qartë” duke mos relativizuar problemet që ka Serbia. Për më tepër Parlamenti Evropian kërkon që ndihma financiare për Serbinë të rishqyrtohet nëse vazhdojnë raportet e tilla të Beogradit me Rusinë.