Arbëri

Kolapsi financiar në Prishtinë, cila është zgjidhja pas konstituimit të Kuvendit Komunal?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit për Kuvendin Komunal.

Me certifikimin e rezultateve për kryetar të Prishtinës dhe asamblistë, kryetari Përparim Rama ka kohë dy javë për thirrjen e seancës së parë, në të cilën parashihet të bëhet edhe betimi i asamblistëve e i vetë kryetarit Rama.

Nëse brenda kësaj kohe kryetari Rama nuk e thërret seancën e parë, atëherë asamblisti në moshë më të vjetër ka të drejtë ta thërrasë atë.

Por, mandati i dytë Ramën e gjen me probleme të shumta buxhetore, të cilat u krijuan gjatë mandatit të tij të parë.

Mosmiratimi i buxhetit të vitit 2025 e tani edhe i vitit 2026 ka lënë Prishtinën në një krizë të madhe financiare, duke i lënë kopshtet pa energji elektrike e transportin urban pa mundësi funksionimi. Përderisa, linja të transportit privat i Prishtinës veçse kanë njoftuar pezullimin.

“Nga sot ka pezulluar shërbimin linja 3A. Por nga e hëna do t’iu bashkangjiten edhe linjat e tjera private, për shkak të kolapsit financiar në të cilën gjenden kompanitë private. Ka disa muaj që nuk janë paguar nga Komuna e Prishtinës e në këtë mënyrë është i pamundur funksionimi. Të hënën do të protestojmë para komunës në orën 9:00”, thuhet në një reagim të Shoqatës së Transportuesve Privatë.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, Komuna e Prishtinës mund të kalojë buxhetin e 2026-tës menjëherë pas konstituimit të Kuvendit.

“Kemi 11 komuna që nuk e kanë miratuar buxhetin komunal me kohë, deri më 30 shtator, por tash as niveli qendror nuk e ka të miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm. Pra këto 11 komuna mund t’i miratojnë buxhetet komunale pas konstituimit të kuvendeve komunale dhe ato projeksione buxhetore të barten në Ministrinë e Financave dhe ajo e ka obligim ligjor që t’i bartë në Kuvend e Kuvendi para mbajtjes së seancës për miratimin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin e ardhshëm mund t’i inkorporojë edhe ato projeksione. Legjislacioni në fuqi nuk e obligon Kuvendin e Republikës që t’i marrë parasysh, por deri tash nuk ka ndodhur nëse këto projeksione që të dërgohen me kohë e të mos merren parasysh”, ka thënë ai.

Megjithatë ai potencon se buxheti i komunave është i lidhur drejtpërdrejt edhe me atë qendror.

Sipas tij, në rast se problemet nuk zgjidhen menjëherë pas zgjedhjeve qendrore, Kosova ka buxhet vetëm edhe për muajt janar dhe shkurt, e nga 1 marsi do të gjendet para një kolapsi financiar.

“Institucionet do të kenë buxhet edhe për shkurt. Nëse nuk do të ketë zgjidhje të këtij problemi, nga 1 marsi Kosova rrezikon të jetë para një kolapsi financiar, që nuk ka ndodhur në Kosovën e pasluftës”, ka deklaruar ai.