Mungesa e barnave, aparaturave dhe resurseve humane në luftën kundër COVID-19, sipas kryetarit të Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, Besim Kodra, ka rënduar edhe më tej gjendjen e pacientëve të prekur me këtë virus.
Kjo, sipas tij, ka nxjerrë në pah problemet e shtresuara ndër vite në sistemin shëndetësor. Kodra, i cili është edhe pjesë e Bordit këshillues për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ka thënë se ka mungesë të koordinimit në mes të niveleve të kujdesit shëndetësor, që e bën të vështirë menaxhimin e pacientëve me COVID-19. Një përparim, sipas tij, është bërë në aspektin e testimeve ku janë rritur kapacitetet testuese edhe pse jo në masën sa duhet të jetë.
Terapia për përballje me këtë virus, sipas tij, është e kushtueshme dhe ka ndikuar negativisht tek pacientët. Shqetësuese, sipas tij, është ndërprerja e shërbimeve për pacientët me probleme shëndetësore. Thotë se edhe pse në institucionet shëndetësore publike janë ndërprerë shërbimet joemergjente, në ato private kanë vazhduar normalisht. Kjo, sipas tij, e ka rritur rrezikun për shtresat e varfra të shoqërisë, pasi që ato nuk mund t’i përballojnë kostot e shërbimeve të nevojshme për ta në institucionet private shëndetësore.
Kalimi në “stand by” të sektorëve të tjerë shëndetësorë dhe bartja e fokusit në masat ndaj COVID-19, sipas Kodrës, kanë ndikuar që pacientëve të tjerë me sëmundje të tjera “të zakonshme” për shkak të mosofrimit të kujdesit të duhur shëndetësor gjendja shëndetësore t’iu përkeqësohet edhe më tutje, gjë që një numër i tyre po e paguan edhe me jetë. Pasi Kosova nuk ka një sistem të integruar të informimit shëndetësor, sipas tij, nuk ka shifra të sakta për dëmet që u janë shkaktuar pacientëve të sëmurë me sëmundje të tjera jo të lidhura me COVID-19, por këtë më së miri po e ndiejnë ata që po kalojnë nëpër këtë sfidë.
KD: Kohëve të fundit kemi parë një shtim të rasteve të të infektuarve me COVID-19. Sa janë të përgatitura institucionet shëndetësore për valën e dytë të infeksioneve?
Kodra: Kohëve të fundit vendi po përballet me një valë të re të COVID-19, e cila siç duket është më e ashpër se ajo e muajve korrik dhe gusht. Edhe pse ka një përparim të lehtë sa i përket menaxhimit të pandemisë, problemet e shtresuara ndër vite në sistemin shëndetësor tani kanë dalë në sipërfaqe më shumë se kurrë. Mungesa e një koordinimi të mjaftueshëm në mes të niveleve të kujdesit shëndetësor e bën të vështirë menaxhimin e pacientëve me COVID-19. Kur kësaj i shtohen mungesa e resurseve humane dhe shfrytëzimi joracional i tyre, mungesa e barnave, aparaturave llogaridhënies para qytetarëve, vijmë në përfundimin se vendi nuk është i gatshëm as për së afërmi të përballet me një rrezik siç është COVID 19. Një përparim është bërë në aspektin e testimeve ku janë rritur kapacitetet testuese edhe pse jo në masën sa duhet të jetë.
KD: Cilat janë sfidat e Kosovës në këtë betejë?
Kodra: Sfidat në menaxhimin e COVID19 janë: koordinimi i pamjaftueshëm, rritja e numrit të testimeve, kushtet spitalore, mungesa e barnave dhe aparaturave, edukimi i pamjaftueshëm i qytetarëve rreth COVID-19, kapacitetet monitoruese të zbatimit të masave, uniteti politik në menaxhimin e pandemisë etj ...
KD: Ju si shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve a keni pranuar ankesa nga pacientët lidhur me trajtimin sa i përket sëmundjes COVID-19 dhe çfarë ankesash kanë qenë ato?
Kodra: Ne deri më tani kemi pranuar rreth 90 ankesa të pacientëve që kanë të bëjnë me trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe ndërprerjen e shërbimeve për sëmundje të tjera që nuk janë COVID - 19.
KD: Si i vlerësoni kushtet e sistemit shëndetësor për të përballuar numrin e madh të kërkesave për testim për këtë virus?
Kodra: Kushtet e sistemit shëndetësor për t’u përballur me një valë të dytë të pandemisë janë shumë të dobëta. Duke filluar nga kushtet hoteliere të spitaleve, mungesa e pastërtisë, mungesa e stafit shëndetësor dhe shfrytëzimi joracional i tyre, mungesa e barnave për COVID-19, mungesa e koordinimit në mes të niveleve të sistemit shëndetësor e bëjnë të vështirë përballjen me pandeminë COVID-19.
KD: Pacientët që kanë qenë të prekur me COVID-19 kanë pasur ankesa që kostoja e shërimit nga ky virus ka qenë e lartë. Ka pasur ankesa të tilla në Shoqatë dhe sa llogaritet të jetë kostoja për t’u shëruar nga ky virus dhe se a do të duhej që kjo kosto të mbulohet nga Qeveria?
Kodra: Kemi pasur raste kur pacientët janë detyruar të blejnë çdo gjë për trajtimin e tyre, madje nganjëherë edhe mjete mbrojtëse për stafin shëndetësor që i ka trajtuar ata. Kostoja e trajtimit të tyre është mjaft e shtrenjtë, gjë që e bën të vështirë qasjen e pacientëve në shërbim shëndetësor. Qeveria e Kosovës është dashur që për pacientët e prekur me COVID-19, të ndajë të paktën nga një pagë minimale që do të ishte një lehtësim për ta në trajtimin e sëmundjes. Qeveria ka ndarë mjete për shumëçka që është prekur nga pandemia, e pacientët që janë të prekur me COVID19 detyrohen të blejnë gjithçka vetë! Ky është një absurd i llojit të vet!
KD: Ju jeni pjesë e Bordit këshillues për menaxhimin me pandeminë COVID-19, çfarë masash të mëtejshme duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës?
Kodra: Ne në Bordin Këshillëdhënës i kemi hartuar kriteret se si të mbyllen komunat veç e veç, të cilat kanë numër të caktuar të infeksioneve. Është e papranueshme që i gjithë vendi të futet në bllokadë. Një komunë e cila po e menaxhon mirë virusin, nuk duhet të jetë peng i një komune tjetër që nuk po menaxhon mirë me virusin. Prandaj është bërë një përshkallëzim i tillë.
KD: Si ka ndikuar COVID-19 në trajtimin e pacientëve që kanë probleme të tjera shëndetësore, kur e dimë se një pjesë e shërbimeve janë ndërprerë shkaku i kësaj?
Kodra: Për ne kjo ka qenë pjesa më e hidhur e menaxhimit të pandemisë. Kosova ka lejuar të punojnë kafenetë, e ka mbyllur shërbimet shëndetësore. Kjo nuk është mbrojtje e shëndetit publik. Këtu ''po mbrohemi'' vetëm nga COVID-19, por jo edhe nga rreziqet e tjera që na kanosen orë e çast! Logjikisht, cilat kanë qenë arsyet pse ka pasur shëndetësi para COVID-19 ?! Edhe pse në institucionet shëndetësore publike janë ndërprerë shërbimet joemergjente, në ato private kanë vazhduar normalisht. Kjo e ka rritur rrezikun për shtresat e varfra të shoqërisë, pasi që ato nuk mund t’i përballojnë kostot e shërbimeve të nevojshme për ta në institucionet private shëndetësore. Kalimi në “stand by” të sektorëve të tjerë shëndetësorë dhe bartja e fokusit në masat ndaj COVID-19, kanë ndikuar që pacientëve të tjerë me sëmundje të tjera “të zakonshme”, për shkak të mosofrimit të kujdesit të duhur shëndetësor, gjendja shëndetësore t’iu përkeqësohet edhe më tutje, gjë që një numër i tyre po e paguan edhe me jetë.
KD: Cilat janë dëmet shkaku i ndërprerjes së shërbimeve në klinika?
Kodra: Natyrisht, për shkak se Kosova nuk ka një sistem të integruar të informimit shëndetësor nuk mund të ofrohet ndonjë shifër e saktë e dëmeve që u janë shkaktuar pacientëve të sëmurë me sëmundje të tjera jo të lidhura me COVID-19, por këtë më së miri po e ndiejnë ata që po kalojnë nëpër këtë sfidë. Duke pasur parasysh parashikimet e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë, COVID-19 nuk do të jetë një “sprint”, por një “maratonë”! Nëse kjo pandemi zgjat sipas këtyre parashikimeve dhe nuk rifillohet ofrimi i shërbimeve shëndetësore, shëndeti i shumë qytetarëve që presin këto shërbime do të jetë i rënduar edhe më shumë. Ndoshta do të jemi në një pozicion të vlerësojmë se nga kush po dëmtohet më shumë shëndeti publik, nga pandemia apo mosofrimi i shërbimeve shëndetësore.
KD: Me Ligjin për Shëndetësi parashihet themelimi i “Shërbimeve Profesionale”. Çfarë ka ndodhur me këtë dhe si do të ndikonte një gjë e tillë?
Kodra: Ligji aktual për shëndetësi dhe aktet e tjera pasuese, që ishin hapi i parë drejt reformës në shëndetësi, në frymën e ofrimit të kujdesit të integruar, parasheh themelimin e “Shërbimeve Profesionale”, e cila nuk u implementua asnjëherë. Konsideroj që është prioritet themelimi i “Shërbimit profesional për sëmundje infektive” duke e pasur në fokus COVID-19. Ky shërbim profesional, me urgjencë ta hartojë planin organizativ dhe operativ. Ashtu siç kërkon korniza ligjore, ky shërbim do të udhëhiqet nga Klinika Infektive, si nivel terciar dhe do t`i ketë të përfshira institucionet e të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor. Një organizim i këtillë i koordinuar në dimensionin vertikal (edhe horizontal) do të mundësonte që institucionet shëndetësore të kujdesit primar ta kenë përkrahjen nga kujdesi sekondar dhe terciar, dhe si të tilla të jenë më të përgatitura për t`u përballuar me sfidën COVID-19. Rrjedhimisht, si rezultat do të kemi: pacientit do t`i kthehet shëndeti më shpejt, me një kosto më të lirë dhe se ai do t`i kthehet punës në rimëkëmbjen e ekonomisë. Përmes këtyre hapave do të ndahej pandemia nga zhvillimi normal i jetës shoqërore.
KD: Tash së fundmi është zbuluar vaksina anti-Covid, kur mendoni se ajo do të mund të arrijë në Kosovë?
Kodra: Duke i parë problemet e mëdha në prokurim publik, por edhe pamjaftueshmërinë e vaksinës në treg, arritja e një vaksine të tillë në Kosovë nuk shihet në një të ardhme të afërt.