Njohësi i Politikave shëndetësore, Vlorian Molliqaj, ka thënë se mungesa e barnave që janë në Listën Esenciale në Kosovë është problem që 25 vjet, derisa e ka quajtur skandaloze që Kosovës i duhen muaj kohë për t’i dhënë autorizim marketingu një bari që është i licencuar nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Sipas tij mungesa e barnave në Kosovës është pasojë e një zinxhiri të institucioneve që nuk janë duke funksionuar.
Ai ka thënë se në Kosovë jepen arsye të ndryshme se pse ka mungesë të barnave.
“Zonja Mjehaj foli që është rritur Buxheti por që prapë nuk po del buxheti, ndoshta është ashtu, por ne nuk e dimë se cilat pjesë e barnave nga lista është duke u blerë, ndoshta po blihen disa barna më të shtrenjta, ndoshta ka faktorë të tjerë, me pyet dike tjetër të japin arsye tjerët, procedurat e tenderimit, OSHP-ja, me pyet dikë tjetër thotë që ka mungesë të autorizimit të marketingut, qysh e kemi pas rastin këtë vit mbi 80 barna pjesë e Listës Esenciale nuk kanë pas autorizim të marketingut edhe që nuk kanë të drejtë t’i blejnë”, është shprehur Molliqaj në Konfront të KTV-së.
Sipas tij institucionet së bashku duhet të punojnë për zgjidhje të këtij problemi.
“Të gjitha këto institucione që janë pjesë e një zinxhiri që është dashur të ulen këto 25 vjet edhe të thonë që diçka nuk është duke funksionuar edhe ejani t’i bëjmë disa iniciativa që na nxjerrin nga kjo situatë, këtë se kam parë asnjëherë”, ka deklaruar Molliqaj.
Ai ka dhënë disa shembuj se si do të mund të përmirësohej situata.
“Shtetet tjera, nëse është telashja të OSHP-ja, te ankesat që po marrin kohë nga 6 muaj, i kanë bërë ca ndryshime administrative, që kur flitet për çështje të barnave, që janë jëtëshpëtuese të trajtohen me prioritet, çështje javësh ... Kosovës i merr tepër shumë kohë për ta dhënë autorizim marketingun për një ilaç i cili është i aprovuar prej të gjitha shteteve të BE-së, kush jemi na, ai shteti aq i fortë që na duhet 6 muaj ose një vit për ta aprovuar një ilaç është i aprovuar nga të gjitha shtetet e BE-së, kjo është skandaloze”, ka theksuar Molliqaj.
Kodra: Ka mjek që përshkruajnë barna për “x” interesa e s'janë në Listë Esenciale
Përfaqësuesi i Shoqatës së pacientëve të Kosovës, Besim Kodra, ka thënë se disa mjekë u përshkruajnë pacientëve barna për interesa të ndryshme, e që disa prej tyre nuk janë në Listë Esenciale.
Sipas tij, rreth 50 për qind e njerëzve kanë raportuar se mjekët nuk i njoftojnë që disa prej barnave që ua përshkruajnë mund t’i marrin në institucion falas.
“E kemi një zinxhir të tërë që pacienti atë që duhet ta marrë nuk e merr. Kjo nuk mundet me u rregullu kur SHSKUK i ka 800 kontrata aktive. SHSKUK-ja duhet t’i decentralizojë përgjegjësitë që i ka, t’i shpërndajë te njësitë e veta dhe të kthehet në rolin e monitoruesit. Në shëndetësi ka më rëndësi rezultati se puna. Ka shumë mjekë që përshkruajnë barna përtej Listës Esenciale për interesa të caktuara. Kjo është shumë problematike”, ka thënë ai.
Kryetari i Odës së Farmacistëve flet për monopolin me barnat në SHSKUK
Kryetari i Odës së Farmacistëve, Kadri Bytyqi, ka folur për monopolin me barnat në SHSKUK.
Ai ka thënë se kur shtohet buxheti, është abnormale të trefishohet mungesa e barnave në Listën Esenciale.
Bytyqi ka deklaruar se centralizimi ka disa rreziqe, dhe sipas tij, një nga kryesoret është monopoli.
“Centralizimi është njëfarë rruge ose parapërgatitje për monopol. Ka monopol”, ka thënë ai duke deklaruar se kompanitë që mbajnë monopol janë “Meditech, Santefarm dhe kompani tjera që fitojnë shumicën e barnave në SHSKUK”.
Ka deklaruar se janë transparente faqet e prokurimit publik nga ku mund të shihen kompanitë që mbajnë monopol të barnave.
Mehaj: Buxheti për Listë Esenciale i pamjaftueshëm - edhe Mali i Zi me 600 mijë banorë ka më shumë
Drejtoresha e Barnatores Qendrore në SHSKUK, Dardane Mehaj ka thënë se buxheti për Listën Esenciale të Barnave është i pamjaftueshëm.
Ajo ka thënë se jo të gjitha barnat që përshkruhen nga mjekët janë për pacientët që i blejnë nga Lista Esenciale.
Sipas saj, ka mungesa të theksueshme në vazhdimësi, edhe në produkte vitale.
“Kosova është një vend i varfër dhe buxheti që është i paraparë, është 40 milionë. Buxheti është më shumë se vitin e kaluar, por fatkeqësisht buxheti nuk është ndarë për barnat e reja. Nuk mjaftojnë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, për Klinikën e Onkologjisë nga 12 milionë është rritë në 17 milionë euro.
“Vetëm Mali i Zi i ka 75 milionë buxhet për barnat onkologjike dhe i ka 600 mijë banorë”, ka thënë ajo.
Kodra: Në Kosovë pacientëve u përshkruhen shumë barna
Përfaqësuesi i Shoqatës së pacientëve të Kosovës, Besim Kodra, ka thënë se në Kosovë përshkruhen shumë barna.
Sipas tij kjo dukuri është e shprehur sidomos në kujdesin primar.
“Kemi një përshkrim jashtëzakonisht të madh të barnave, kur flasim për kujdesin primar janë diku rreth 38 për qind e pacientëve që kanë të paktën tri barna të përshkruara, po flasim për kujdesin primar që roli i tij është në edukim, parandalim të sëmundjeve jo në riparim të shëndetit”, ka deklaruar Kodra në Konfront të KTV-së.
Megjithëkëtë ai ka thënë se nuk mund të thotë se përshkruhen më shumë barna sesa që duhet, por sipas tij trendi i kujdesit primar është sa më pak barna.
“Kemi një trend që është jashtëzakonisht i larë i përshkimit të barnave, si në kujdesin primar, sekondar e terciar, në anën tjetër kemi një mungesë të tyre në sektorin publik dhe pacientët detyrohen t’i blejnë vet”, është shprehur Kodra.
Ai ka thënë se 67 për qind e pacientëve kanë deklaruar se kanë vështirësi financiare në sigurimin e barnave dhe 10 për qind e tyre kanë deklaruar se nuk i blejnë barnat fare për këtë shkak.