Kosova është renditur e 99-ta në botë nga 180 shtete në indeksin vjetor të vitit 2025 për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Kosova qëndron më së keqi, pas Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinë e Serbisë.
Por, sipas avokatit Arianit Koci, Serbia nuk ka si të jetë më mirë se Kosova, meqë siç ka arsyetuar ai, atje mediat janë në duart e pushtetit e në Kosovë pushteti kritikohet çdo ditë.
“Në këtë realitet të përditshëm, Reporterët pa Kufij thonë se Serbia ka më shumë liri të shtypit se Kosova. Po flasim për një vend ku gazetarët vriten, kërcënohen, përndiqen. Ku mediat nuk informojnë – por i shërbejnë qeverisë. Ku çdo kritikë ndaj presidentit konsiderohet tradhti. Ndërsa pothuajse të gjitha mediat pro-qeveritare publikojnë çdo ditë lajme diskriminuese, të pasakta dhe haptazi fyese ndaj shqiptarëve dhe Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Koci e ka quajtur “luftë speciale kundër Kosovës” paraqitjen e Kosovës nga Reporterët pa Kufij.
“Në Serbi, prokuroria hesht ndaj kërcënimeve. Në Kosovë, policia dhe prokuroria reagojnë shpejt për mbrojtjen e gazetarëve. Në Serbi, reklamat publike dhe fondet shkojnë vetëm për ata që lavdërojnë qeverinë. Në Kosovë, kjo nuk ndodh. Në Serbi, shqiptarët demonizohen çdo ditë si armik. Në Kosovë, nuk ka fushata urrejtjeje ndaj pakicave në asnjë media serioze. Po si ndodhi që Serbia u rendit më mirë? Kjo nuk është gabim teknik. Është pjesë e një lufte speciale kundër Kosovës”, është shprehur tutje.
Koci ka theksuar se Reporterët pa Kufij janë bërë “dashje pa dashje” pjesë e fushatës për ta barazuar Kosovën me një regjim autoritar dhe për ta zhvlerësuar çdo gjë “që e kemi ndërtuar me shumë mund”.
“Reporterët pa Kufij janë bërë, dashje pa dashje, pjesë e kësaj fushate. Jo sepse janë të korruptuar. Por sepse mbështeten në burime të gabuara. Të njëanshme. Dhe ndonjëherë, të manipuluara”, ka shkruar Koci, ndërkohë ka shtuar se ka zero respekt për një organizatë të tillë kur nuk dihet se kush janë “ata njerëz nga Kosova që japin vlerësime të rreme e që i shesin për analizë”.