Arbëri

KNSH-ja e konstaton të kundërligjshëm vendimin e ZRRE-së nga i cili përfitonin biznese të një pronari

Foto: Koha

Komisioni i Ndihmës Shtetërore e ka konstatuar si të kundërligjshme vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifa nxitëse për 20 megavat energji solare. Nga ky vendim do të përfitonin bizneset e Blerim Devollit.

Ky komision përmes një komunikatë për media ka konstatuar se skema e aprovuar nga ZRRE është e kundërligjshme, pasi që nuk ka njoftuar dhe nuk ka pasur autorizim të Komisionit për Ndihmë Shtetërore për përshtatshmërinë e saj me ligjin, duke shkelur kështu nenin 3 të Ligjit për Ndihmë Shtetërore. Ky vendim është mirëpritur edhe nga Sekretariati i Komunitetit për Energji.

ZRRE më datë 27 nëntor të vitit të kaluar kishte marrë vendimin në lidhje me tarifat nxitëse për të përkrahur kapacitete shtesë prej 20 megavat (MWh) të energjisë solare në Kosovë.

Vendimi (V_1204_2019) ka caktuar tarifën nxitëse prej 85.5 Euro për Megavatë (MW), duke garantuar kështu çmimin e blerjes për prodhuesit e energjisë diellore/solare, të përzgjedhur mbi bazën ‘kush vjen i pari, shërbehet i pari’, për 12 vitet e ardhshme. Tavani për të përfituar nga kjo masë e ndihmës për prodhues është deri në 3 Megavatë.

Por, Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka konstatuar se skema e ZRRE nuk ka përmbushur kushtet e përgjithshme (relevante) të përcaktuara me Udhëzuesin e BE për ndihmën shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjinë 2014-2020 (EEAG), bazuar në nenin 14 (1.3) i Ligjit Nr. 05/L-100 për Ndihmën Shtetërore. Për këtë, vendosi që skema “Tarifa nxitëse për prodhimin shtesë të 20 megavat të energjisë diellore/solare në Republikën e Kosovës” është ndihmë shtetërore e ndaluar dhe nuk e ka autorizuar atë.

Ky Komision obligon ZRRE që të mos zbatojë skemën mbështetëse në fjalë. Gjithashtu, ZRRE merr për obligim për të njoftuar Komisionin e Ndihmës Shtetërore, në lidhje me hapat e ndërmarrë pas pranimit të këtij vendimi.

“Komisioni fton ZRRE që me qëllim të përafrimit me rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore të lidhur me Burimet e Ripërteritshme të Energjisë (BRE) të fillojë rishikimin e kornizës ligjore duke i hapur rrugë mekanizmave konkurrues të bazuar në kritere të qarta, transparente dhe jo-diskriminuese të ofertimit (p.sh. formave te ndryshme te ankandeve) në përzgjedhjen e përfituesve nga skemat mbështetëse, dhe zëvendësimin gradual të feed-in tarifës me feed-in primet (ose ngjashëm) konform praktikave të mira dhe në favor të interesit publik”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Në media është raportuar se si kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistrua në shtetin e Maltës do të përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Ndërkohë, Sekretariati i Komunitetit për Energji përmes një komunikate për media ka thënë se ndihma shtetërore duhet të jetë në përputhje me acquis e ndihmës shtetërore.

Sipas tij, Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka zbuluar se një tarifë e caktuar administrative për 20 MË të energjisë me diell nuk përputhet me acquis e ndihmës shtetërore sepse nuk është njoftuar tek autoriteti kompetent i ndihmës shtetërore para se të jepej dhe nuk është në përputhje me udhëzimet mbi ndihmën shtetërore për mbrojtjen e mjedisit dhe energjisë.

“Sekretariati tashmë ka theksuar në mënyrë të përsëritur se çdo mbështetje e Shtetit duhet të jetë në përputhje me acquis e ndihmës Shtetërore dhe të pastrohet nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, vendimi i sotëm është një moment i rëndësishëm për autoritetet kombëtare të ndihmës shtetërore që marrin përgjegjësinë për vlerësimin e skemave të mbështetjes së burimeve të rinovueshme jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.