Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KFOR: S’kemi identifikuar dronë që mund të rrezikojnë sigurinë e Kosovës

KFOR

Foto ilustrim

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se nuk ka identifikuar asnjë aktivitet të dronëve që mund të ndikojë në sigurinë e Kosovës.

Në një përgjigje zyrtare për KOHËN, lidhur me raportimin për fluturimin e një droni mbi burgun e Gjilanit, i cili ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës këtë javë, KFOR-i ka thënë se rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Personeli i KFOR-it ruan ndërgjegjësimin e situatës dhe kontribuon në stabilitetin në të gjithë rajonin. Nuk kemi identifikuar shkelje nga dronët që mund të ndikojnë në sigurinë në të gjithë Kosovën”, thuhet në deklaratën e KFOR-it. 

Më 9 mars është raportuar edhe për gjetjen e një droni të dyshimtë mbi pyll në Muçibabë. Policia pati nisur hetimet dhe e ka konfiskuar. 

Lidhur me këtë rast KFOR-i ka njoftuar se ngjarja e 9 marsit lidhej me një pjesë të një droni të vetin, i cili pati humbur gjatë operimeve dimrin e kaluar. 

“Ngjarja e 9 marsit ishte mbetje e një droni të KFOR-it që kishte humbur gjatë operimit dimrin e kaluar. KFOR-i është i pajisur me mjete dhe kapacitete që përdoren për të zbuluar dhe për t’iu përgjigjur sistemeve ajrore pa pilot, duke forcuar njëkohësisht ndërveprimin ndërmjet forcave shumëkombëshe që shërbejnë në misionin e KFOR-it”, thuhet më tej në përgjigje. 

Gjatë ditës KFOR-i po ashtu ka thënë se nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë as stërvitjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, përkatësisht në territorin e Bujanocit.

Këto stërvitje, misioni i NATO-s i ka quajtur “aktivitet rutinë”.

“Mund të konfirmojmë se KFOR-i u informua se Forcat e Armatosura Serbe do të kryenin një aktivitet të planifikuar trajnimi që përfshinte parashutistë të vendosur nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i kryer brenda territorit serb dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë ose stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Ashtu siç konfirmohet edhe nga KFOR-i, ky mision monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, duke përdorur të gjitha mjetet dhe burimet në dispozicion dhe vazhdon operacionet e përditshme për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e OKB-së, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.