Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) do të diskutohet raporti periodik për Kosovën.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në New York për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet sot, në orën 10:00 sipas kohës lokale në New York (16:00 në Kosovë).
“Në këtë seancë do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për zhvillimet në Kosovë", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Gërvalla do të raportojë për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Në tetor, Këshilli i Sigurimit pritet të mbajë takimin e dytë informues të vitit mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi Misionin e Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe situatën në Kosovë. Zëvendës Përfaqësuesi Special i OKB-së, Milbert Dongjoon Shin, është ai që pritet të informojë", thuhet në njoftimin e OKB-së.