Arbëri

Këshilli i Prindërve në Ferizaj kërkon roja fizike në shkolla për të evituar dhunën

Ferizaj, 31 janar - Tre nxënës janë therur me mjete të mprehta e 17 raste të rrahjeve në institucionet shkollore janë regjistruar vitin e kaluar në Komunën e Ferizajt.

Kjo ka shtyrë Këshillin e Prindërve të kërkojë nga Komuna që në shkolla të kenë roja fizike, sistem të kamerave dhe uniforma për të gjithë nxënësit.

Kryetarja e Këshillit të Prindërve në nivel komunal, Zejnepe Hysenaj, ka thënë se Komuna dhe Policia duhet të bëjnë marrëveshje për këtë çështje.

“Fatkeqësisht niveli i sigurisë së fëmijëve nuk është i kënaqshëm duke u nisur nga pasiguria sidomos në hyrje dhe dalje të shkollave, sidomos në zonat urbane dhe ato që janë në qendër të qytetit dhe ku ka lokale për së afërmi dhe frekuentim të njerëzve në atë pjesë”, ka thënë Hysenaj.

Kërkesën e Këshillit e mbështesin edhe qytetarët.

“Dy arsye që duhet të angazhohen institucionet për ta zgjidhur problemin, janë uniformat ndoshta është edhe një mundësi që të shqyrtohet nga DKA-ja çështja e rojave fizike për parandalim të problemit”, është shprehur Visar Islami.

Ganimete Konjufca, drejtoreshë e shkollës fillore “Ahmet Hoxha” në Ferizaj, ka thënë se kanë bashkëpunim të mirë me task-forcën në nivel komunal.

“Sa herë që kemi parë dukuri devijuese qoftë në oborrin e shkollës, qoftë në lagje ku gravitojnë fëmijët apo ku kanë raportuar prindërit, ne gjithmonë kemi marrë masa dhe i kemi parandaluar këto dukuri. Ajo çfarë na duhet në shkolla të kemi punëtorë të sigurimit që do të kujdesen për hyrjet dhe daljet e nxënësve nga objektet shkollore”, ka thënë ajo.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se sivjet kanë planifikuar të punësojnë roja fizike nëpër institucione shkollore dhe të sigurojnë uniforma për të gjithë nxënësit, derisa gjatë vitit të kaluar kanë vendosur kamera të sigurisë dhe rrethoja nëpër objekte shkollore.