Arbëri

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës anulon disa punësime në Komunën e Shtimes

Këshilli Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka anuluar disa pozita për punësime në komunën e Shtimes për shkak të shkeljeve ligjore dhe mospërmbushje të kritereve nga kandidatët e përzgjedhur. Pjesë e punësimit në Qendrën për Punë Sociale në Shtime ishte sekretari i LVV-së Halil Kurtishi dhe militanti tjetër i kësaj partie Valon Hysenaj. Ndërkohë kandidatët që kanë bërë ankesa në Këshillin Pavarur Mbikëqyrës e të cilëve u janë aprovuar kërkesat si të bazuara, kanë shpjeguar se komuna duhet t’i anulojë këto punësime shkaku i shkeljeve ligjore.

Gjylfidane Ramadani, kandidate për një pozitë në Qendrën për Punë Sociale në Shtime ka deklaruar se është e specializuar për shërbime sociale familjare dhe ka përvojë të punës prej dy vjetësh në të njëjtën pozitë, mirëpo qëllim i qeverisjes lokale ishte që të punësojë militantët të vet.

“Kam aplikuar dhe i kam plotësuar të gjitha kriteret sepse kam të përfunduar fakultetin master në Juridik dhe jam e specializuar dhe e certifikuar për shërbime sociale e familjare. Ndërkohë komisioni ka pranuar kërkesën time dhe të ankuesve të tjerë si të bazuar sepse në këtë konkurs ka pasur shkelje ligjore. Pra komuna pati punësuar sekretarin e LVV-së Halil Kurtishi dhe militanti tjetër i kësaj partie Valon Hysenaj të cilët nuk kanë pasur asnjë ditë përvojë të punës. Unë i bëj thirrje komunës që mos t’i shikojë ngjyrimet politike e familjare por t’i punësojë profesionistët në pozita profesionale siç janë kërkuar”, ka thënë midis të tjerash Ramadani.

Sipas saj, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës në vendimin e saj nënvizon se janë bërë shkelje ligjore gjatë konkursit për këto pozita.

Ndërkaq, në një vendim tjetër të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të cilin e ka siguruar Koha, thuhet se aprovohet si e bazuar ankesa e parashtruar nga ankuesja M.Q.

“Anulohet në tërësi procedura e rekrutimit për grupi të pozitave ‘Specialist të Përgjithshëm të Shërbimeve Sociale’ që është shpallur me datë 24.05.2022 nga Komuna e Shtimes. Obligohet udhëheqësja e Personelit të Komunës së Shtimes që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme administrative për zbatimin e këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga data e pranimit. Ndërkaq, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës duhet të njoftohet me shkrim pas ndërmarrjes së veprimeve në pajtim me këtë vendim”, thuhet në vendimin e Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës.

Sipas këtij komisioni ankuesja M.Q më 02.08.2022 ka parashtruar ankesë kundër vendimit të komunës të datës 05.07.2022 të Udhëheqëses së Personelit në Komunën e Shtimes për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, pastaj shkeljeve të ligjit të punës dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike. Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave për marrjen e vendimit meritor ka administruar dhjetëra prova.

“Kolegji për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave bazuar në vlerësimin e hollësishëm të çdo prove veç e veç dhe të gjitha provave të marra së bashku, si dhe bazuar në rezultatin tërësor të shqyrtimit administrativ, konstatoi se është e bazuar ankesa e ankueses”, thuhet midis të tjerash në vendimin e komisionit Pavarur Mbikëqyrës.

Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga dy kandidatët e përzgjedhur në këtë konkurs Halil Kurtishi dhe Valon Hysenaj por asnjëri nuk kanë qenë të qasshëm. Ashtu siç ishte i paqasshëm edhe kryetari i Komunës Qemajl Aliu.

Ndërkohë rreth këtij konkursi pati reaguar edhe opozita PDK në Shtime nëpërmjet një shkrese.

“Qeverisja e Aliut po synon që militantët e vet politik po synon t’i punësojë në pozita profesionale pa pasur përvojë të punës dhe pa qenë të licencuar për ato pozita. Kjo çështje i bën dëm buxhetit të taksapaguesve të komunës. Andaj anulimi i konkursit të fundit për pesë pozita tregon më së miri se kjo qeverisje nuk është e aftë të qeverisë me Komunën. Ne e sugjerojmë ekzekutivin që mos t’i shikojë ngjyrimet politike e familjare kur bëhet fjalë punësimi i profesionistëve për pozita të tilla që kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve profesionale për qytetarët”, thuhet midis të tjerash në shkresën e PDK-së.

Image