Arbëri

Kërkohet shtim i presionit mbi Serbinë për gjetjen e të zhdukurve gjatë luftës

Udhëheqësit e institucioneve dhe familjarët e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë i kanë kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë për zbulimin e vendndodhjes së tyre. Zbardhja e fatit të të pagjeturve vlerësohet se ka mbetur peng i dialogut me Serbinë, çështje për të cilën nuk po bashkëpunon kjo e fundit. Kryeministri u shpreh se ndriçimin e fatit të të zhdukurve do ta bënte hapja e arkivave ushtarake të Serbisë, e njohësit thonë se tashmë me to mund të jetë manipuluar

Mbi 1600 persona, viktima të luftës së fundit në Kosovë, vazhdojnë të jenë në listën e të zhdukurve me dhunë nga Serbia. Kërkimet e fundit për trupat e zhdukur janë bërë në fshatin Shtaval të Komunës së Sjenicës në Serbi, por pa rezultat. Ndërsa mbetjet e fundit mortore që u gjetën ishin ato të një viti më parë në Kizhevak të Serbisë. Përshpejtimi i këtij procesi, sipas drejtuesve të institucioneve, po varet kryesisht nga vullneti i regjimit të Serbisë që 23 vjet më parë kishte kontrollin mbi territorin e Kosovës dhe që po ky shtet është përgjegjës për vrasjet dhe zhdukjen e trupave. Ata, të martën, në Ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë, kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë trysni ndaj Serbisë.

Por, edhe mungesa e një dakordimi mes Kosovës e Serbisë për këtë çështje, sipas njohësve të këtij procesi, vjen për shkak të qasjes johumanitare të pushtetit në Beograd. Bekim Blakaj nga Fondi për të drejtën humanitare thotë se çështja e të pagjeturve ka mbetur peng i një marrëveshjeje në dialog, meqë Serbia po e trajton atë si çështje politike.

“Jemi të lumtur që më në fund është gjetur në agjendë, por deri më tani nuk është që kemi parë një progres, pra palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje. Çka kërkojmë ne është që me të vërtetë çështja e personave të zhdukur të shihet si çështje humanitare dhe jo çështje politike”, ka thënë Blakaj.

Një marrëveshje ku palët gjejnë zgjidhje për ndriçimin e fatit të të zhdukurve sipas kryeministrit Albin Kurti, tashmë është harmonizuar porse të njëjtën ai deklaroi se nuk po e nënshkruan Serbia. Kryeministri ka thënë se informacionet për ta gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë.

“Përveçqë duhet të hapen arkivat (në Beograd), edhe prokuroria te ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas, sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë”, ka thënë kryeministri.

Por Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ndonëse e quan të domosdoshme hapjen e arkivave, thotë se duhet negociim më i thellë nga Qeveria, meqë druan se mund të jetë manipuluar me arkivat ushtarake, pikërisht nga personat që kanë qenë të përfshirë e të cilët mbajnë përgjegjësi për fshehjen e trupave.

“Mund të ketë raste që informacioni për personat e zhdukur nuk është në arkiva tashmë ose mund të gjendet në arkiva private të atyre që kanë qenë të përfshirë në bartjen e trupave dhe fshehjen e trupave”, ka shtuar ai.

Për një ujdi që qet në dritë vendndodhjen e të gjithë të zhdukurve me dhunë, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, kërkoi presion ndërkombëtar ndaj Serbisë. Osmani ka thënë se Serbia duhet të përgjigjet për krimet e kryera dhe të tregojë vendndodhjen e të zhdukurve.

“Po shpresojmë që me trysni ndërkombëtare që përfundimisht të arrihet kjo marrëveshje e cila do ta shtrinte rrugën drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë”, ka thënë presidentja.

Edhe drejtuesi i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit me Dhunë ka kërkuar ndihmën ndërkombëtare në këtë proces.

“Përveçqë kërkojmë presion të vazhdueshëm si Kosovë ndaj Serbisë, ne presim dhe shpresojmë shumë në ndihmën ndërkombëtare në këtë proces”, ka theksuar Andin Hoti, djali i intelektualit dhe veprimtarit Ukshin Hoti, i cili po ashtu rezulton i zhdukur që nga viti 1999.

Në këtë ditë përkujtimi janë bërë një varg aktivitetesh dhe është hapur edhe një ekspozitë në qendër të Prishtinës me 35 fotografi të familjarëve me fotot e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë.