Shoqatat e dala nga lufta dhe kuvendarët në Shtime po kërkojnë nga ekzekutivi rindërtimin e ish-shtabit të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës pasi që objekti tashmë është demoluar shkaku i mosmirëmbajtjes. Shqetësime dhe kritika rreth degradimit të objektit kanë shprehur edhe drejtues të luftës të cilët aso kohe e kishin përkrahur iniciativën për ta hapur shtabin e UÇK-së në fshatin Rancë.
Ramiz Qeriqi, ish-komandant i Batalionit të dytë “Ruzhdi Salihu”, ka thënë se niveli qendror dhe ai lokal duhet të angazhohen bashkërisht për ta rindërtuar ish-shtabin e UÇK-së në fshatin Rancë. Qeriqi ka thënë se në atë vend aso kohe ka qenë një objekt i cili ishte caktuar ndër pikat e para të ushtrisë, siç ishte një pikë e tillë edhe në Kaçanik.
“Komuna duhet t’i pyesë veteranët dhe shoqatat se si duhet të rindërtohet ai objekt i cili tashmë pothuajse është rrënuar shkaku i mosmirëmbajtjes. Ne veteranët kemi foto se si është dukur ai objekt aso kohe. Prandaj duhet të rindërtohet në atë gjendje duke mos ia humbur apo ndryshuar pamjen atij objekti. Nëse i humb pamja atëherë i humb edhe vlera atij objekti. Prandaj megjithëse ndoshta është dashur të rindërtohet më herët, tani ende nuk është vonë që ky objekt të rindërtohet me qëllim që mos të humben vlerat e luftës së UÇK-së”, ka kërkuar Qeriqi.
Rreth kësaj çështje është debatuar gjatë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Shtime, të martën. Adem Ramadani, kuvendar nga radhët e PDK-së, ka kërkuar nga ekzekutivi që ky projekt së bashku me rrugën që çon në këtë lokacion duhet të ndërtohen sa më shpejtë.
“Para dy muajsh kryetari i Komunës ka qenë në fshatin Rancë, aty ku pritet të ndërtohet shtabi i UÇK-së dhe ne po i ofrohemi datës 26 qershor, që është dita e themelimit të kësaj pike në fshatin Rancë. Andaj duam ta dimë se a do të fillojë ndërtimi i objektit të shtabit po ashtu edhe ndërtimi i rrugës që çon te shtabi a do të asfaltohet sivjet”, ka kërkuar Ramadani.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se ky projekt i cili nuk ka nisur tash e 20 vjet, do të nisë brenda një të ardhme të afërt nga qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Së bashku me shoqatat e dala nga lufta dhe me kryetarin e agjencionit të memorialëve e kemi vizituar vendin e ish-shtabit të UÇK-së në Rancë dhe jemi dakorduar që ky projekt të futet në planifikim për rindërtimin e shtabit. Këtë iniciativë e kam marrë si unike nga të gjitha strukturat e shoqatave të dala nga lufta dhe besoj se kemi gjetur edhe mirëkuptimin e Agjencionit të Memorialëve të Kosovës dhe jemi marrë vesh që ata të fillojnë projektimin”, ka thënë Aliu.
Ai ka sqaruar se nivelit qendror i kanë premtuar që nëse kanë nevojë mbështetje nga Komuna e Shtimes do ta hartojnë projektin.
“Në drejtorinë tonë të urbanizmit e kemi gjetur një projekt ideor të para disa vitesh dhe do të mundohemi që ta ofrojmë ekspertizën tonë. Pra jemi të angazhuar që ky projekt sa më shpejtë të jetësohet dhe të fillohet sa më shpejtë. Sa i përket rrugës në këtë fshat ka qenë një fond i akorduar për këto rrugë dhe ka qenë i pamjaftueshëm, andaj ne e kemi shtuar edhe një pjesë dhe tash janë bërë 50 mijë euro dhe procedurat do të fillojnë shumë shpejt dhe para vjeshtës mund të përfundojë”, ka sqaruar Aliu.
{gallery}