Në “Javën për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë” janë adresuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti për jotransparencë dhe për vonesa në miratimin e Strategjisë për energji. Nga aty u bë thirrje që strategjia të ketë në fokus dekarbonizimin e energjisë dhe mbrojtjen mjedisore. Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon ka thënë se ka ardhur koha për një strategji të energjisë që do t’i hap derën energjisë së ripërtritshme.
Kritika drejt Qeverisë Kurti për vonesa në miratimin e Strategjisë për energji dhe mungesën e transparencës janë dhënë të martën në kuadër të “Javës për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë”.
Aty u kërkua që Strategjia për energji t’i hapë rrugën dekarbonizimit dhe ta ketë në fokus energjinë e ripërtëritshme.
Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se Kosova ka probleme të mëdha mjedisore dhe se mbrojtja e mjedisit duhet të jetë prioritet për vendin.
“Ka ardhur koha përfundimtare të dilet me një strategji e që është pritur për një kohë të gjatë, por është përmendur këtu në këtë paragraf dhe askush nuk ka parë asgjë sa i përket strategjisë së energjisë deri më tani. Shpresoj që do të zbulojmë më shumë për këtë së shpejti. Shpresoj që kjo strategji do ta shtrojë rrugën për dekarbonizimin e përzierjes energjetike të Kosovës dhe të hapë derën për më shumë energji të ripërtëritshme”, ka thënë Von Cramon.
Sipas Von Cramonit, thëngjilli jo vetëm që i vret qytetarët, por edhe ekonominë.
Ajo ka thënë se Kosova ka sipërfaqe, ajër dhe tokë të ndotur.
“Si dikush që vjen shpesh në Prishtinë, problemin më të madh mjedisor, e shoh në sipërfaqe, ajrin dhe tokën e ndotur. Ndotja e ajrit në Prishtinë është veçanërisht e madhe në muajt e dimrit, që vjen kryesisht nga djegia e qymyrit dhe drurit në amvisëri, transporti, ngrohja dhe prodhimi i energjisë në termocentralet A dhe B të KEK-ut në Kosovë, e që janë disa nga termocentralet më të vjetra të thëngjillit në Evropë”, ka theksuar ajo.
Ka thënë se menaxhimi i mbeturinave vazhdon të jetë i paqëndrueshëm dhe ka një numër të madh të deponive ilegale në mbarë Kosovën.
“Deponitë e ndërtuara pas luftës, shumë nga ato me paratë e BE-së, janë pothuajse plot. Disa nga ato deponi janë keqmenaxhuar dhe përbëjnë kërcënim për ujërat nëntokësore, si dhe për ndotjen e ajrit”, theksoi Von Cramon.
Sipas saj, interesi i përbashkët është që të futet i tërë Ballkani Perëndimor në një energji të gjelbër dhe të qëndrueshme, pasi që sipas saj, një prej hapave kryesorë në këtë rrugëtim është tranzicioni energjetik.
“Në një prej hapave kryesorë në këtë rrugëtim është tranzicioni energjetik. Dhe në kohën e luftës ruse kundër Ukrainës, gjë që është qartë - luftë kundër energjisë të ripërtëritshmeve dhe për lëndën fosilike. Evropa ka identifikuar që duhet të jetë e pavarur sa i përket energjisë, këtë duhet ta shohim edhe në Kosovë, po ashtu edhe në tërë rajonin. Kam qenë në Beograd dhe kjo ka qenë një prej çështjeve të cilën e kam diskutuar me presidentin Vuçiq për t’u informuar. Jam në këtë temë kudo”, ka thënë Von Cramon.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka thënë se si Kuvend nuk kanë njohuri për procesin e hartimit e as të strategjisë.
“Edhe investimet që janë dashur të bëhen dikur në sektorin e energjisë janë stopuar për arsye të ndryshme dhe që sot unë do të dëshiroja të di se investimet e reja në kuptimin e strategjisë që do të na vijë, a do të jenë përsëri ato projekte që janë stopuar dikur, apo do të jenë të orientuara njëmend në strategjinë e ripërtëritshme dhe në energjinë e gjelbër. Prandaj, kjo është sfida që do ta kemi kur këto dy dokumente do të vijnë në Kuvend”, ka theksuar ajo.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka theksuar se strategjia për energji synon dekarbonizimin e energjisë dhe promovimin e asaj të ripërtëritshme.
“Si ekzekutiv jemi siguruar që strategjia e energjisë të synojë përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së sistemit elektro-energjetik, të parashohë dekarbonzimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, rritjen e efiçiencës së energjisë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në funksionimin e tregut energjetik”, ka theksuar ai.
Qeveria është duke hartuar edhe Strategjinë për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm 2022-2030.
“Momentalisht jemi duke punuar në draftimin e strategjisë për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillim të qëndrueshëm 2022-2030, që synon ruajtjen e mjedisit, ajrit, biodiversitetit dhe kjo strategji pritet të finalizohet deri në fund të vitit 2022”, ka theksuar Bislimi
Në konferencë u kërkua po ashtu të kihet parasysh menaxhimi i ujit, pasi siç u tha, ky resurs gjithnjë e më shumë është nën kërcënimin e ndryshimeve klimatike.
Po ashtu u kërkua që të ndalen ndërtimet pa leje në parqet kombëtare dhe në zona të mbrojtura.