Konsensus brenda vendit dhe një diplomaci më aktive të Kuvendit në funksion të përmbushjes së agjendës evropiane kanë kërkuar përfaqësues të shoqërisë civile.
Niveli i zbatimit të obligimeve që dalin nga marrëdhënia kontraktuale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian është diskutuar në takimin që disa pjesëtarë të OJQ-ve kanë zhvilluar të mërkurën me anëtarët e Komisionit për Integrim.
“Të synohet një konsensus kombëtar sa i përket avancimit të agjendës evropiane. Mendoj se Komisioni për integrim evropian mundet me ba këtë punë shumë më mirë sesa një zyre brenda qeverisë ose qysh ka qenë më herët ministria e integrimit, për shkak të diversitetit politik dhe përbërjes që e ka. Pra ka më shumë mundësi për arritjen e konsensusit”, tha Albana Rexha e D+.
“Çka mundeni me ba është me e kriju qat konsensus shoqëror ose ta iniciojmë atë ku ne duam të jemi në 30-40 vjetët e ardhshëm. Dojmë me kanë më shumë në kajde të shtetit të Danimarkës sesa një shteti palidhje. Përderisa nuk e kemi zhvilluar këtë mentalitet se po dojmë me mbërri në një pikë të caktuar, do të merremi me IPA, komuna. Kur ta vendosim përnime me u ba evropian nuk e shohim integrimin si proces transakcional”, deklaroi Arben Kalaja nga EPIK.
e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që shoqëria civile ta mbikëqyrë procesin e emërimeve në bordet e pavarura, teksa ka përmendur mungesën e tyre e në procesin e zgjedhjes së anëtarëve për bordin e Komisionit të Pavarur për Media.
“Edhe një herë dua ta adresojë shqetësimin se shoqëria civile nuk duhet të përjashtohet nga asnjë proces. Kemi parë reagimin e Flutura Kusarit që të kthehet procesi në pikën. Të mos na evidentohet në raportet e ardhshme të progresit për Kosovën se shoqëria civile nuk është e përfshirë në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve për të pasur procese të suksesshme”, tha Deliu-Kodra.
Kurse Time Kadrijaj e AAK-së ka kërkuar mbikëqyrje më të madhe në procesin e dialogut me Serbinë.
“Sidomos tash në këtë fazë të dialogut ku ne po kërkojmë përfshirje të shoqërisë civile në procesin e dialogut duke kontribuar me rekomandime dhe me sugjerime se çka të bëhet në procesin e dialogut dhe cila do të jetë qasja e Kosovës. Pastaj si t’i qasemi liberalizmit të vizave ku Kosova ka përmbushur të gjitha detyrat dhe obligimet dhe që ne duhet si parlament dhe qeveri ta kemi një reagim edhe të shoqërisë civile, në takime që i keni me organizata ndërkombëtare”.
Deputetët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile u zotuan për bashkëpunim dhe komunikim të mëtejmë për avancimin e proceseve integruese.