Arbëri

Kërkohet finalizimi i objektit të ri të Spitalit të Ferizajt

“Ndër vite është bërë kërkesa që të kemi një objekt modern, meqenëse qytetarët e Ferizajt e meritojnë shumë më shumë. E meritojnë një objekt që të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, por edhe mjekët dhe personeli shëndetësor të ofrojnë një shërbim të dinjitetshëm. Ajo ende nuk po ndodh”, ka thënë Sylejman Metushi, ish-drejtor i Spitalit Rajonal

Zvarritja e projektit të ndërtimit të Spitalit Rajonal në Ferizaj, në vlerë prej rreth 10 milionë eurosh, e ka vështirësuar funksionimin e Spitalit të vjetër, kanë thënë të enjten ish-drejtuesit e tij.

Ata kanë organizuar një konferencë për media, me rastin e 23-vjetorit të themelimit të Spitalit të Ferizajt, për të kërkuar që objekti i ri të finalizohet, duke lënë anash “inatet politike ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror”.

Në mesin e ish-drejtorëve të Spitalit ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga qyteti i Ferizajt, Elmi Reçica.

Ai e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se për inate politike po e pengon ndërtimin e këtij spitali. Sipas Reçicës, të gjitha arsyetimet e zyrtarëve nga niveli qendror janë “të pabazuara, sepse ekzistojnë mundësitë për ta finalizuar objektin”.

“Ka qenë rast i veçantë gjatë kohës së pandemisë, ju e dini që shtetet e caktuara kanë ndërtuar spitale që nga themeli, ne e kemi pasur këtë spital dhe e kemi bllokuar. Dhe, tash aktualisht me arsye të paqena tërësisht, e ka pushteti në dorë. E kemi ministrin e Financave nga Ferizaj, i kemi 9 deputetë nga Ferizaj dhe kemi shumë mundësi ta riaktivizojmë dhe ta përfundojmë këtë spital, por kjo nuk po ndodh”, ka thënë Reçica.

Sipas tij, ka pasur dezinformata të shumta rreth ndërtimit të Spitalit, se gjoja mjekët e pushtetarët kanë blerë parcela para objektit të ri të Spitalit. Por, ka shtuar se një gjë e tillë nuk qëndron.

“Pastaj, individë të ndryshëm kanë pasur dezinformata që objekti ka lëvizur, shkaku i mungesës së armaturës, pastaj kanë bërë edhe dezinformata të tjera me papërgjegjësi totale”, ka thënë mes të tjerash Reçica.

Ai ka shtuar se më 2021-tën ishte dashur të finalizohej projekti, sipas dinamikës së punimeve, porse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. “Ferizaj, si tatimpaguesi i dytë në Kosovë dhe si qendra e tretë për nga banorët, është e bllokuar, jo vetëm sa i përket ndërtimit të Spitalit, por edhe në projekte të tjera, andaj do të përpiqemi që të kërkojmë për ta përmbyllur këtë projekt sa më shpejt dhe disa projekte të tjera”, ka thënë Reçica.

Ish-drejtorët e Spitalit Rajonal të Ferizajt nëpërmjet konferencës kanë deklaruar se mungesa e një objekti të ri po e vështirëson funksionimin e objektit të vjetër, andaj kanë kërkuar nga niveli qendror “mos t’i shikojnë inatet politike, por të funksionalizohet objekti”.

“Ndër vite është bërë kërkesa që të kemi një objekt modern, meqenëse qytetarët e Ferizajt e meritojnë shumë më shumë. E meritojnë një objekt që të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, por edhe mjekët dhe personeli shëndetësor të ofrojnë një shërbim të dinjitetshëm. Ajo ende nuk po ndodh”, ka thënë Sylejman Metushi, ish-drejtor i Spitalit Rajonal.

Ndërkaq, Skender Shabani, po ashtu ish-drejtor i Spitalit të Ferizajt, ka thënë se është shqetësuese se si nuk po finalizohet projekti i spitalit prej disa vjetësh.

“Ferizaj prej para 23 vjetësh figuron në organogramin shëndetësor të Kosovës si spital, e ka vijën buxhetore, e ka strukturën komplet dhe i ka kapacitetet njerëzore që ajo të zgjerohet edhe me kapacitete më të mëdha. Dhe, zgjerimi i këtyre kapaciteteve spitalore me këtë numër kaq të madh të banorëve nuk ka çfarë të diskutohet”, ka thënë ai.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje, madje zyrtarët për informim nuk janë përgjigjur as në telefon.