Arbëri

Kërkohet dialog me parime të qarta dhe transparent

Dialog me parime të qarta dhe transparent është kërkuar nga Qeveria Kurti, e cila ende nuk e ka paraqitur programin qeverisës, përfshirë pjesën për dialog.

Pavarësisht insistimit të Kurtit se dialogu nuk është ndër prioritetet e para, caktimi i një zëvendëskryeministri me portofol edhe për këtë çështje po konsiderohet si përkushtim për ta finalizuar këtë proces.

Por rolin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, njohësi i integrimeve Demush Shasha e sheh në kuptim të menaxhimit të operacioneve ditore të dialogut, dhe se roli kryesor i mbetet kryeministrit.

“Një nga gjërat që pres nga qeveria Kurti është që ta prezantoj cili është synimi përfundimtar i dialogut sa i përket qeverisë së Kosovës. E para, BE e ka synimin e vet, SHBA e ka që është pak ma ndryshe, por Kosova duhet ta ketë synimin e vet. E dyta, në program qeveria duhet të vendos parime pra nuk mund të presin detaje të qarta por së paku parimet e udhëheqjes. Çka pres është që të jenë vijat e kuqet. Çështjet e integritetit territorial janë të panegociueshme, ato që prekin kushtetutën janë të panegociueshme. Në fund pres që programi të ofrojë strukturën negociuese kush do të udhëheqë dhe kush do të jetë pjesë e delegacionit të lartë politik”, ka deklaruar Demush Shasha nga instituti EPIK.

Në ekspozenë para deputetëve me rastin e votimit të Qeverisë, Kurti tha se më nuk do të ketë asnjë kompromis përtej atyre që ofron Pakoja e Ahtisaarit. Ndërkaq në programin prej 52 faqesh të Vetëvendosjes nuk është thënë asgjë për dialogun.

Me të marrë detyrën e re, Kurtit ia përmendi rinisjen e dialogut edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Urime Albin Kurti, në zgjedhjen tënde si kryeministër! Të uroj suksese në përmbushjen e pritjeve të mëdha të qytetarëve të Kosovës. BE-ja është gati të lehtësojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Lajçak.

E çështja që mund ta zbehë entuziazmin e palëve për një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse është Asociacioni i Komunave Serbe, kundër të cilit është Lëvizja Vetëvendosje.

Por Shasha vlerëson se nuk ka ndonjë rrezik nga krijimi i Asociacionit, përderisa mbetet brenda kornizave të Pakos së Ahtisaarit.

“Asociacioni falë edhe narracionit të rëndë të Vetëvendosjes, ka një hezitim dhe një anomizitet ndaj tij. Por asociacionit të komunave serbe i janë dhënë të drejtat goxha të mëdha nga pakoja e Ahtisarit. Përderisa asociacioni qëndron brenda kornizave të Pakos së Ahtisaarit që i bie kompetenca të plota në kuadër të bashkëpunimit me institucionet e Serbisë për arsim, kulturë, shkencë, pra për gjithçka që prek identitetin serb- nuk ka ndonjë problem. Pra vetëm në kuadër të një kontrolli të ligjeve në Kosovë dhe institucioneve në Kosovë”, tha Shasha.

Emisari i BE-së e ka lënë në dorën e palëve marrëveshjen që synojnë ta arrijnë, teksa ka konfirmuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të koordinuara në këtë proces.