“KEK sh.a. dëshiron të informojë opinionin publik se ka parashtruar tashmë padi ndaj znj. Janina Imeri, e cila ndodhet në shqyrtim nga organet kompetente të drejtësisë, si pjesë e veprimeve ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional. Në të njëjtën kohë, KEK sh.a., në ushtrim të kompetencave ligjore dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë çdo masë raportimi, përfshirë raportimin në rrjetet sociale, si dhe çdo veprim ligjor për të ndaluar përhapjen e informatave të rrejshme dhe propagandës, përfshirë rastet kur ato vijnë nga zyrtarë publikë. Çdo përpjekje për të denigruar punonjësit ose përfaqësuesit e Korporatës, ose për t’i atribuar KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin, është e papranueshme dhe do të ndjeket deri në fund ligjërisht”, thuhet në njoftimin e KEK-ut në Facebook.
Në njoftimin e KEK-ut po ashtu thuhet se nuk ekziston asnjë pengesë për qasje në informacionet zyrtare.
“KEK sh.a. dëshiron gjithashtu të theksojë se nuk ekziston asnjë pengesë për qasjen në informacionet zyrtare, të cilat janë publike, transparente dhe të qasshme për të gjithë përmes ueb-faqes zyrtare të Korporatës. Të dhënat e KEK sh.a. janë zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme me të dhënat publike të KOSTT-it”, thuhet mes tjerash në postim.
Një ditë më parë, deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka akuzuar sindikatën e punëtorëve të KEK-ut se nuk po i përfaqëson interesat e punëtorëve në mënyrë të denjë.
“Në vend që të kërkojë investime të reja në vendet e punës, sindikata hesht për faktin se KEK-u ka rreth 250 milionë euro të parkuara në banka, të cilat i mban me interes, në vend që t’i investojë në siguri, modernizim dhe mirëmbajtje. Në vend që të ngrejë zërin për instalimin e elektrofiltrave, mungesa e të cilëve po dëmton shëndetin e qindra mijëra qytetarëve, sindikata merret me servilizëm ndaj menaxhmentit, me shpresën se do t’i bie ndonjë përfitim personal. Në vend që të flasë për Nagip Krasniqin, tenderët e dyshimtë dhe korrupsionin, sindikata merret me mua, duke pretenduar se gjoja unë po ua “humbi djersën” punëtorëve. Në vend që të adresojë dyshimet serioze për sabotim ndaj shtetit ku jetojmë, sindikata merret përsëri me mua qe me takatin tim mbroj interesin publik dhe qytetaret qe jane ligjërisht pronarë të KEK-ut”, thuhet në postimin e Ymerit në Facebook.
Ymeri në vazhdimësi ka pasur kritika dhe akuza për situatën me energjinë në Kosovë. Ajo ka akuzuar Qeverinë Kurti, për import të energjisë elektrike nga Serbia.