Që nga fillimi i vitit, Autoritetit të Konkurrencës i janë përcjellë për hetim nga KEK-u qindra tenderë me vlerë rreth 200 milionë euro, nën dyshimin për kurdisje të tyre. Por rastet kanë mbetur në shqyrtim, meqë bordi i këtij Autoriteti ka mungesë kuorumi për vendimmarrje
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) i ka kërkuar Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) hetim të rreth 800 tenderëve në vlerë rreth 200 milionë euro, pasi dyshon se ata janë kurdisur. Ndonëse AKK-ja e ka nisur shqyrtimin e tyre, ky autoritet nuk ka Bord funksional për vendimmarrje finale. Në këto dyshime të ngritura nga udhëheqësia e KEK-ut, hyjnë tenderë të vlerave të mesme dhe të mëdha, procedurat e prokurimit për të cilët janë zhvilluar nga 2020-a deri më 2024. Ndonëse burime të sigurta të KOHËS kanë thënë se bëhet fjalë për 800 tenderë, në Autoritetin e Konkurrencës flasin për 300 më pak.
“Nga fillimi i vitit 2025, Autoriteti është duke e trajtuar një rast të rëndësishëm që ka ardhur si referim nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Bëhet fjalë për dyshime mbi kurdisje tenderësh në procedura të prokurimit publik, që i përfshijnë më shumë se 500 tenderë të vlerave të mëdha dhe të mesme, me një shumë totale që e kap vlerën rreth 200 milionë euro të zhvilluara që nga viti 2020 deri më 2024”, kanë thënë në Autoritet.
Në këtë institucion kanë thënë se ky rast është në fazën e mbledhjes së të dhënave dhe analizimit të dokumentacionit, por burimet kanë thënë se deri tash i kanë evidentuar dhjetëra raste të kurdisjes, të cilat i kanë në monitorim më të thelluar. Vlera e tyre është rreth 50 milionë euro.
Në Autoritet kanë thënë se janë duke vlerësuar nëse sjelljet e operatoreve që kanë tenderuar apo kanë fituar tender kanë pasur sjellje antikonkurruese në aspektin e marrëveshjeve te ndaluara “bid-rigging” apo kurdisje të tenderëve. Kanë thënë se janë të fokusuar te disa nga format e kurdisjes së tenderëve, si shtypja e ofertës – kur një ose disa konkurrentë bien dakord të mos bëjnë ofertë ose ta tërheqin një ofertë të paraqitur më parë, në mënyrë që një ofertues tjetër të fitojë; rotacioni i ofertave – kur firmat vazhdojnë të ofrojnë oferta, por ato bien dakord të jenë me radhë ofertues fitues; shpërndarja e klientit ose e tregut – kur ofertuesit bien dakord që t’i shpërndajnë klientët ose të fitojnë në zona të caktuara gjeografike; oferta plotësuese – kur ofertuesit paraqesin oferta të cilat janë qëllimisht të larta dhe të cilat janë të destinuara për të humbur “Oferta kompjuterike”.
Ky autoritet që është përgjegjës të sigurojë konkurrencë të drejtë, pavarësisht se rastin e ka marrë nga fillimi i vitit, ende nuk e ka nisur hetimin formal për shkak të mosfunksionimit të Komisionit, i cili është i pakompletuar. Komisioni i ka 3 anëtarë nga 5 sa duhet t’i ketë gjithsej. Dy nga ta kanë dhënë dorëheqje, e njëri ka konflikt interesi me rastet në KEK dhe për pasojë, Bordi nuk ka kuorum për vendimmarrje.
“Pas shqyrtimit paraprak dhe analizimit të dokumentacionit dhe provave, Autoriteti do t’i nxjerrë konkluzat për fazë tjetër të zhvillimit procedural. Autoriteti i Konkurrencës, për shkak të mosfunksionimit të Komisionit (Bordit), nuk mund ta nxjerrë asnjë vendim, gjobë, masë sigurie apo të fillojë hetime për ndonjë rast”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit.
Anëtarët e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi, por për shkak të bllokadës në konstituimin e institucioneve, nuk janë zgjedhur anëtarët e rinj të Bordit dhe kësisoj nuk mund të trajtohen rastet e deponuara nga KEK-u. Ndëshkimet që i jep autoriteti kur gjen se ka pasur çrregullim të tregut, janë gjobat për shkelje të rënda, që i përfshijnë deri në 10 për qind të qarkullimit të përgjithshëm të një kompanie; gjobat për shkelje të lehta, që përfshijnë deri në 1 për qind të qarkullimit të përgjithshëm; Gjobat për shkeljet nga personat përgjegjës dhe pagesat ndëshkuese periodike.
Ekonomisti Fidan Qerimi e ka quajtur situatën alarmante dhe të rrezikshme për funksionimin normal të tregut. Ai ka theksuar se Autoriteti i Konkurrencës është një ndër institucionet kyç për t’i ruajtur rregullat e tregut të lirë dhe për t’i parandaluar praktikat e dëmshme që e dëmtojnë konkurrencën.
Sipas tij, përgjegjësinë për këtë bllokadë institucionale duhet ta marrin edhe deputetët, të cilët me mosveprimin e tyre e kanë lënë vendin pa një mekanizëm të rëndësishëm të kontrollit të tregut.
Qerimi ka shtuar se pasojat e kësaj situate nuk janë vetëm afatshkurtra, por do të ndihen gjatë në sistemin ekonomik të vendit.
“Ky është një Komision jetik për funksionimin e tregut të lirë dhe për të krijuar konkurrencë në treg. Fatkeqësisht, këtij Komisioni nuk po i plotësohen anëtarët të cilët duhet të jenë aty, 5 anëtarë, kjo për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Këto janë pasoja jo afatshkurtra, por pasoja afatgjate. Fatkeqësisht, kjo është gjendje alarmante dhe e mjerueshme për vendin dhe ekonominë tonë”, është shprehur Qerimi.
Në AKK kanë theksuar se gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti nuk e kanë dorëzuar asnjë rast në organet e drejtësisë për dyshime në kurdisje të tenderëve. Në mungesë të anëtarëve të Bordit, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur të hapë hetime as për furrat që dyshohet se bënë marrëveshje ndërmjet vete për rritje të çmimit të bukës.