Arbëri

KEK: S’do të ketë ndërprerje të energjisë, nuk do të ketë importim në sasinë 100 për qind

KEK

Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se në fundjavë nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, pas alarmimit se kjo korporatë nuk do të prodhojë rrymë me të gjitha blloqet e saj.

Në një konferencë për media, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, ka thënë se KEDS-i dhe KESCO janë të obliguara të importojnë sasinë e nevojshme për konsum.

“Ne vetëm e prodhojmë energjinë dhe e deklarojmë një ditë përpara”, ka thënë ai duke bërë të ditur se të shtunën do të operojë edhe njësia A3. Ai ka shtuar se kjo nënkupton që “nuk do të ketë importim të energjisë në vlerë 100%”.

Hashani ka mohuar raportimet se Kosova për herë të parë nuk do të prodhojë asnjë megavat brenda dite. Sipas tij, sot maksimumi i konsumit ka qenë 500 megavatë për orë, tek ka vlerësuar se në fundjavë konsumi bie edhe më shumë.

Ai ka shtuar se KEK-u është në proces të modernizimit dhe shtimit të kapaciteteve.

Më herët gjatë ditës, KESCO (Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike) alarmoi duke thënë se është informuar për mungesë të prodhimit vendor dhe ka shtuar se në rastin më ekstrem kjo nënkupton që energjia për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit. Si pasojë, KESCO ka bërë thirrje për kursim urgjent.